Donald Trump ka siguruar këtë të enjte numrin e mjaftueshëm të delegatëve të nevojshëm për të siguruar nominimin republikan për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Në këtë mënyrë përfundon atë që konsiderohej si një rritje e pamundur, që ka ngritur në këmbë të gjithë peisazhin politik dhe përgatit gjasat për një fushatë edhe më të ashpër në vjeshtë të këtij viti.Sipas numërimit që ka bërë “Associated Press”, Trump e ka kaluar me vetëm 1 numrin e nevojshëm të delegatëve, pasi ka siguruar edhe një numër delegatësh të pazotuar me partinë, të cilët i kanë thënë agjencisë së lajmeve se do ta mbështesin atë në konventën e korrikut. Mes tyre është edhe kryetarja e republikanëve të Oklahomës, Pam Pollard.“Mendoj se ai ka prekur atë pjesë të elektoratit që nuk pëlqen situatën aktuale ku ndodhet vendi ynë”, tha Pollard. “Ndaj dhe nuk e kam problem ta mbështes Trumpin”.Për të siguruar nominimin republikan për president nevojiteshin 1237 delegatë. Trump ka arritur aktualisht, sipas numërimit të “AP”, 1238 delegatë gjithsej. E ndërsa janë ende 303 delegatë në lojë, që priten të deklarojnë mbështetjen e tyre në primaret e 5 shteteve, që do të shprehen më 7 qershor, Trump do ta ketë tepër të lehtë të shmangë ndërhyrjet në Konventën partiake në Cleveland, në korrik.Trump, një politikan rishtar i cili prej vitesh ka dhënë vetëm komente “helmuese” mbi deklaratat para kombit nga prapavija, por që kurrë nuk kishte garuar deri më tani për ndonjë post, luftoi përballë 16 pretendentëve të tjerë republikanë në një garë tepër të ashpër dhe të papëlqyeshme ndonjëherë.Steve House, kreu i Partisë Republikane në Kolorado, si dhe një delegat i paangazhuar që konfirmoi mbështetjen e tij për Trumpin i pyetur nga “AP”, tha se i pëlqen karakteri i miliarderit nga pikëpamja e një biznesmeni. “Lidershipi është lidership. Nëse ai do të mund të rrethohet me politikanë të talentuar, besoj se do të jetë shumë mirë për të”.Disa të tjerë që konfirmuan vendimin për të mbështetur Trumpin ishin pak më të ftohtë, duke thënë se kishin dhënë mbështetjen e tyre pa ndonjë ndienjë detyrimi, por vetëm sepse ai thjesht ka fituar primaret në shtetet e tyre respektive.Rrugëtimi i Trumpit për nominimin presidencial mes republikanëve nisi me një të përpjetë e thepisur. Manjati i pasurive të paluajtshme dhe bashkëshortja e tij, Melania, e zbritën këtë “shkallë lëvizëse” në qarqet e lobimit të “Kullës Trump” më 16 qershor të vitit 2015, në atë shpallje që shumëkush prej vëzhguesve tha se nuk duhej të ishte bërë kurrë. Miliarderi, i cili kishte flirtuar shpesh në të kaluarën me mundësinë për të garuar për ndonjë post, deklaroi se po niste fushatën për të siguruar nominimin presidencial të republikanëve.Fjalimi i tij i parë u përqëndrua në aftësinë e kandidatit për të dominuar titujt kryesorë mediatikë, me deklarata provokuese, ofendime dhe hiperbolizime. Ai i quajti meksikanët “përdhunues”, duke premtuar se do të ndërtonte një mur përgjatë kufirit amerikan me Meksikën, ndërkohë që shtoi më tej se do të ndalonte myslimanët të hynin në SHBA për një kohë të pacaktuar.Politika e tij ishte ajo e vendosjes së pseudonimeve për rivalët: “Marco i vogël” Rubio, “I dobëti” Jeb Bush dhe “Gënjeshtari Ted” Cruz, ishin ndër më kryesoret që shkaktuan edhe reagimet më të ashpra ndaj Trumpit. Megjithatë ata ranë njëri pas tjetrit, duke lënë Trumpin të vetmin të mbijetuar në primaret republikane.Mitingjet e tij u bënë ngjarje që “duheshin” parë me patjetër dhe “magnet” për publikun e lirë e të paangazhuar deri më tani me asnjë krah politik, siç quhen edhe ata të pavendosurit. Në skenë ai iu dha disi më shumë populizmit, duke thithur me mijëra mbështetës, shumë prej të cilëve iu bashkuan thirrjeve të tij “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, apo duke thirrur edhe në kor “Ndërtojeni murin”.Të gjitha këto shfaqje shkaktuan protesta anembanë Amerikës, teksa demonstrues të paktë shpeshherë u larguan me forcë nga mitingjet e tij. Një miting në Çikago u anulua pasi mijëra demonstrues rrethuan vendin e organizimit, ndërsa Shërbimet Sekrete nuk mundeshin ta siguronin të paprekur kandidatin. Kur votimet filluan, ai nuk kishte një hap të shpejtë...Ai humbi në Ioëa në shkurt, duke mbetur pas Cruzit por la pas vetes Rubion. E mori veten në New Hampshire, ndërkohë që prej aty u angazhua fuqimisht për të fituar disa prej shteteve më të rëndësishme e duke humbur disa të tjera, por gjithsesi duke dominuar në të gjithë pjesën e mbetur të garës, ashtu sikurse edhe në numrin e delegatëve së fundi.Gjatë kësaj kohe, të gjithë udhëheqësit e vjetër të republikanëve u shtangën dhe u shprehën të habitur nga rritja e pabesueshme e Trumpit. Shpesh e quajtën “mashtrues”, atë që dikur ishte një demokrat, por sërish dështuan ta ndalonin të siguronte numrin e “magjishëm” të 1237 delegatëve. Avash-avash, edhe udhëheqësit e vjetër nisën të takoheshin me Trumpin dhe stafin e tij, ndërsa prej shumë prej tyre manjati siguroi mbështetjen.Trump, 69 vjeç, djali i një manjati të pasurive të paluajtshme të Nju Jork Sitit, e shtoi famën e tij gjatë viteve ’80-’90, duke mbikëqyrur shumicën e marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme dhe duke shtuar me norma tepër të shpejta pasurinë e tij. Ai ishte “host” i një show televiziv si “The Apprentice”, e më pas u bë edhe autor i dhjetëra librave.Megjithatë, fushata e gjerë mediatike dhe miliarda dollarë të shpenzuara për të, luajnë një rol të rëndësishëm, duke e vendosur Trumpin për muaj me radhë në qendër të vëmendjes në çdo cep të globit. Ai u kthye në provën më të fortë se nuk ka publicitet të mirë apo reklamë të keqe, por vetëm publicitet.Aq më tepër kur përveç asaj të paguar me milionat e “perandorisë” së tij, atij iu bë edhe nga njerëz dhe vende të pamenduara:“Mos e dhënë Zoti, besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-të dhe botën demokratike, pasi ai do të duhej të bënte disa prej gjërave që thotë se do të bëjë dhe, padyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme”, tha për CNN kryeministri Rama.Sot të gjithë ata që folën kundër tij, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, duhet të reflektojnë. Ky i fundit edhe më shumë, pasi tashmë, njeriu që ai e quajti rrezik për botën, sot statistikisht është së paku 50 për qind President i Shteteve të Bashkuara.

Reforma për Kodin e Punës, Franca nën pushtetin e grevave
Punonjësit e stacioneve bërthamore franceze do të zhvillojnë grevë 24 orëshe ditë e sotme si shenjë proteste mbi reformën e diskutueshme në Kodin e Punës.Kompania shtetërore e energjetike e Francës energjisë, “Electricite de France:, nuk pranoi të komentojë se si greva një-ditore në centralet bërthamore do të ndikojë në furnizim, pasi ajo siguron rreth 75% të energjisë elektrike të vendit.Nga grevat dhe bllokadat tashmë janë ndërprerë gjashtë nga tetë rafineritë e naftës të Francës, madje punonjësit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë edhe portet për të ndaluar importin e karburanti.Ministri i Transportit francez, ka deklaruar se 40 % e pikave të karburantit në vend kanë ngelur pa furnizim.Sindikatat kërkojnë që qeveria të kthejë reformat e iniciuara në Parlament në fillim të këtij muaji, ku preket Kodi i Punës dhe veçanërisht orari i detyrueshëm i orëve të punës në javë.Franca prej vitit 2000 ka pasur të miratuar me ligj 35 orë punë në javë.

Autoritetet me kalimin e ditëve  po tregohen akoma edhe më shumë të rezervuar sa i përket informacioneve për zhdukjen e avionit Egypt Air.Ndërsa nga ana tjetër mediat vijojnë me spekulimet e tyre. Daily Mirror flet për një tjetër teori tronditëse, atë se një meteor ishte shkaktari i vërtetë i tragjedisë ajrore.Sipas gazetës britanike, një meteor i cili peshonte plot 10.000 ton goditi atmosferën e tokës të martën e kaluar, ndërsa ka rënë me një shpejtësi  67,000 km dhe pjesët e tij janë shpërndarë në Argjentinë, Groenlandë, Australi dhe në Lindjen e Mesme.Rusia ishte vendi i parë që ka paralajmëruar në lidhje me një meteor i cili do të depërtonte atmosferën - dhe në veçanti Moska theksoi rrezikun për trafikun ajror.Ndërkaq nga ana tjetër kreu i autoritetit të mjekësisë ligjore të Egjiptit ka hedhur poshtë lajmin se biopsia e disa pjesëve të trupit të viktimave  tregon se ka pasur një shpërthim në bord.Në kushte anonimati një zyrtar i lartë tha për Associated Press se ai kishte shqyrtuar personalisht këto pjesë të trupit të tyre dhe ka hedhur poshtë skenarin e shpërthimit.Më vonë ishte vetë agjencia egjiptiane shtetërore e lajmeve Mena e cila ka denoncuar këtë lajm duke e quajtur të rremë. Kjo ka shtuar një tjetër kontradiktë ndërmjet asaj që flasin burimet zyrtare për këtë tragjedi dhe asaj që flasin mediat për fluturimin fatkeq MS804.

BQE: Bankat e Eurozonës drejt vështirësive. Duhet të ulin kostot ose të shkrihen
Bankat europiane pritet të hasin shumë vështirësi në sigurimin e përfitimeve gjatë muajve në vijim, ndërsa shumë prej tyre mund t’iu duhet të shkurtojnë kostot, të shkrihen apo të ndryshojnë strategjitë e tyre të biznesit, në mënyrë që të rikthehen në gjendje të shëndoshë. Paralajmërimi erdhi këtë të martë nga Banka Qendrore Europiane.Vështirësitë e bankave paraqesin një pengesë të madhe për ekonominë e Eurozonës 19-anëtarëshe, ku huadhënësit janë kryesisht burimi i financimit për bizneset, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ku kompanitë shpesh i nxjerrin borxhet e tyre në tregjet e kapitalit.Në rishikimin e qëndrueshmërisë financiare në Eurozonë, BQE-ja thotë se sistemi bankar ka pasur paqëndrueshmëri në tregje gjatë fillimit të vitit, por më tej mbeti në gjende të pandryshuar. Gjithsesi, sipas saj “rreziqet më të mëdha janë rritur” që prej rishikimit të fundit të tillë në nëntor të vitit 2015.BQE vëren se “bankat e Eurozonës vazhdojnë të përballen me një perspektivë të përfitueshmërisë së ulët”, e rënduar kryesisht prej normave të ulëta të interesit, nga rimëkëmbja e vakët e vendeve europiane dhe nga shifrat e larta të huave të këqija në disa prej këtyre vendeve.Banka Qendrore Europiane, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e bankave, ashtu sikurse edhe politikën e normave të interesit në Eurozonë, paralajmëroi se disa banka mund të kenë nevojë të ulin kostot e tyre edhe më tej, ose të shkrihen me banka të tjera. Madje, disa prej këtyre bankave mund të kenë nevojë të ndryshojnë modelet e tyre të biznesit, drejt aktiviteteve të ndryshme për të siguruar parà bazuar mbi mjedisin aktual.Fitimet e bankave janë nën presionin e rregullave të reja që i detyrojnë ato të vendosin mënjanë stoqe më të mëdha parash, si dhe të reduktojnë aktivitetet me risk si tregtimi i letrave me vlerë dhe derivateve të tyre, në mënyrë që të shmangin një tjetër krizë financiare. Disa prej bankave janë duke paguar gjobat apo vendime ligjore të lidhura me sjelljen e gabuar të tyre në të kaluarën, mbi shitjen e produkteve riskoze financiare apo manipulimin e standardeve financiare.
Greqi, filloi evakuimi i kampit të Eidhomenit
Greqia ka nisur evakuimin e mijëra emigrantëve të bllokuar në kampin provizor të Eidhomenit, në kufirin me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Autobusët e parë me refugjatë janë larguar prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa operacioni vazhdon pa probleme.Forca të shumta policore që kanë mbërritur të hënën në mbrëmje ndodhen në kamp dhe kanë filluar me anë të përkthyesve të ndihmojnë fillimisht evakuimin e familjeve me fëmijë të vegjël që ndodhen në çadrat provizore në anë të kampit, duke u kujdesur që të lirojnë njëkohësisht dhe linjën hekurudhore mes dy shteteve, që vazhdon të jetë e bllokuar për mëse dy muaj.Gjithashtu, policia, që monitoron operacionin edhe me helikopter, ka larguar të gjithë gazetarët vendas dhe të huaj nga kampi që prej pasdites së të hënës dhe tashmë nuk lejon asnjë përfaqësues të shtypit të jetë i pranishëm në operacion, duke i mbajtur kamerat në një distancë të largët nga kampi, aty ku mund të shihen vetëm autobusët kur largohen.Deri tani nuk ka pasur kundërshtime nga ana e refugjatëve dhe një pjesë e mirë e tyre tashmë shohin se është pa kuptim qëndrimi në këtë kamp provizor, në kushte tepër të vështira, pasi edhe shpresat për hapjen e kufirit janë venitur. Por ende ka një numër të konsiderueshëm të cilët nuk duan të largohen.“Evakuimi do të vazhdojë të paktën një javë dhe nuk do të përdoret forca”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë për çështjet e krizës së refugjatëve, Jorgos Kiritsis, që ka bërë me dije se rreth 8.500 refugjatët që kanë mbetur në Eidhomeni do të çohen në 6 kampe të zëna me qera në zonën industriale të Selanikut, por edhe në kampe të tjera në zona të ndryshme të Greqisë perëndimore. Vendimi i qeverisë për evakuimin e Eidhomenit është pritur pozitivisht edhe nga Komision Europian.

Visitors

297850
Today
Yesterday
This Week
Last Week
This Month
Last Month
All days
213
235
629
271152
4757
11199
297850

Your IP: 54.196.135.90
2018-01-17 15:21