Meksikë, zhvarrosen 116 trupa nga një varr masiv
Autoritetet meksikane kanë nisur zhvarrosjen e 116 trupave të groposur në një varr masiv në shtetin qendror të Morelos. Vari, i ndodhur në një zonë rurale, u zbulua nëntorin e kaluar në qytetin Tetelcingo.Prokurorët deklarojnë se trupat mund të jenë hedhur ilegalisht nga autoritetet e morgut, por hetimet për identifikimin e përgjegjësve janë në zhvillim.Morelos është ndër shtetet më të prekura nga dhuna e lidhur me drogën në Meksikë. Rreth 20 mijë persona janë zhdukur në mbarë vendin për shkak të kësaj dhune, vlerëson OKB, ndërkohë që organizata të tjera deklarojnë se shifra është shumë më e lartë.Hetuesit në Tetelcingo kanë nisur punimet nën një tendë të madhe të ngritur pranë vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur edhe shumë familjarë të personave të zhdukur, si dhe përfaqësues të Komitetit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, për të ndjekur procesin.Kampione gjenetike do të merren nga çdo mbetje trupore në përpjekje për identifikimin e tyre, përpara se ato të rivarrosen në mënyrë ligjore. Zhvarrosja pritet të zgjasë të paktën 5 ditë.Prokurori i shtetit, Javier Perez Duron deklaroi se varri masiv është i thellë të paktën 10 metra. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të numërohen të gjithë trupat dhe t’u japim atyre një varrim dinjitoz”, deklaroi Duron.

Brazil, përgjimet detyrojnë ministrin të tërhiqet

Një aleat i ngushtë i presidentit në detyrë të Brazilit Michel Temer ka vendosur të tërhiqet për shkak të një skandali politik që ka dalë në dritë.Ministri Romero Juca, në një përgjim zanor, flet për një plan për të penguar hetimin më të madh për korrupsion që është bërë ndonjëherë në vend.Në përgjimin e transkriptuar nga një gazetë, ai shfaqet duke folur për ndalimin e hetimit ndaj gjigandit të naftës Petrobras, ku është përfshirë edhe presidentja tashmë e pezulluar, Dilma Rousseff.Nga ana e tij, zoti Juca thotë se, komentet e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit. Ndërsa Rousseff thotë se përgjimet provojnë se procesi hetimor është një “grusht politik” që synon mbrojtjen e figurave të vjetra politike të përfshira në skandalin e Petrobras.Rousseff akuzohet se ka manipuluar shifrat e buxhetit në prag të rizgjedhjes, në vitin 2014, dhe pritet të gjykohet në Senat në muajt e ardhshëm.Në bisedën e publikuar nga gazeta “Folha de Sao Paulo”, ministri Juca thotë se, “nxjerrja para gjyqit ishte e nevojshme për të bllokuar hemoragjinë dhe për të krijuar një pakt politik për të ndaluar gjithçka dhe për t’i kufizuar gjërat”.Për shumë analistë, konteksti i bisedës ka të bëjë me krizën politike që ka pllakosur Brazilin dhe duket se ministri flet për pengimin e vazhdimit të hetimeve të gjigandit brazilian të naftës, Petrobras.

Ministrat e Bashkimit Europian mbështetën të premten planet për të lehtësuar dhe përshpejtuar pezullimin e liberalizimit të vizave për vende të treta dhe theksuan se heqja e kufizimeve për vendet e tjera nuk ishte një mundësi e afërt, mes shqetësimeve në rritje për emigracionin në bllok.BE po zhvillon bisedime të ndjeshme me Ankaranë për liberalizimin e vizave për Turqit. Ky lëshim është planfikuar si pjesë e marrëveshjes me Turqinë në këmbim të ndihmës së saj për të frenuar fluksin e emigrantëve dhe refugjatëve në Europë. Por, disa shtete të BE e shohin me ankth mundësinë e hapjes së kufijve ndaj vendit mysliman me rreth 79 milionë banorë.Pikërisht për të qetësuar vendet anëtare, Brukseli po përgatit një mekanizëm që do të lejonte pezullimin e vizave me ndonjë prej 60 vendeve që kanë marrëveshje të tilla, mes të cilave edhe Shqipëria. Plani i miratuar nga 28 ministrat e Brendshëm të BE, gëzon edhe mbështetjen e Parlamentit Europian, i cili gjithashtu duhet të thotë fjalën e tij lidhur me çështjen. E megjithatë, ministri i Emigracionit të Holandës, Klaas Dijkhoff, vend i cili mban presidencën e radhës së bllokut, ndërsa përmendi avantazhet nga liberalizimi i vizave theksoi se nuk mund të abuzohet me këtë të drejtë.“Liberalizimi i vizave ka avantazhe të mëdha për BE-në dhe vendet e treta. Ne duhet te sigurohemi që mos të abuzohet me liberalizimin. Jam shumë i kënaqur që ramë dakord mbi një mekanizëm që do të na e bënte më të lehtë të vepronim në rast shkeljesh”, u shpreh Dijkhoff.Përveç Turqisë, BE po konsideron heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës, Ukrainës, e Gjeorgjisë. Por, ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere theksoi se BE-ja nuk duhet të garantojë liberalizmin për vende të tjera deri sa mekanizmi për pezullimin e kësaj të drejte të hyjë në fuqi.Kolegu i tij francez, Bernard Cazeneuve, pohoi se heqja e kufizimeve të udhëtimit për 4 vendet nuk ishte çështje javësh e as muajsh.

Një operacion për rimarrjen e Falluxhas nga i ashtuquajturi Shtet Islamik ka nisur këtë të hënë nga forcat ushtarake irakene, i njoftuar nga vet kryeministri i vendit, Haider al-Abadi. “Momenti i çlirimit të Falluxhës ka mbërritur, jemi në prag të arritjes së një fitoreje të madhe”, tha ai, duke shtuar se militantët xhihadistë nuk kanë “zgjidhje tjetër, veçse të zmbrapsen”.Ushtria e Irakut i ka paralajmëruar tashmë civilët, në mënyrë që të largohen nga qyteti gjatë kësaj mësymjeje. Ndërsa për ata që nuk munden të braktisin shtëpitë e tyre, ushtria ka njoftuar përmes televizionit shtetëror që të ngrenë flamurin e bardhë mbi shtëpi.Falluxha ka qenë qyteti i parë i rënë në duart e xhihadistëve në vitin 2014, ndërkohë që shërben edhe si njëra nga dy bazat më të fuqishme të Shtetit Islamik në Irak. Zyrtarët irakenë thonë se do të krijohen edhe korridore të nevojshme për civilët, në mënyrë që ata t’u drejtohen kampeve të strehimit jashtë qytetit.Agjencia e lajmeve “Reuters” citon rezidentë të këtij qyteti të thonë se, rreth 20 familje u larguan nga një periferi e frontit të luftës ditën e shtunë, por vetëm gjysma e tyre ka mundur të mbërrijë në destinacionin strehues, pasi të tjerët janë vrarë nga eksplozivët e vendosur nga luftëtarët e ISIS përgjatë rrugës.Ushtria, policia dhe luftëtarë vullnetarë kanë rrethuar qytetin, rreth 65 kilometra në perëndim të Bagdadit. Ndërkohë, faqja e internetit prokurde “Shafaq” njoftoi të dielën se rreth 20 mijë trupa policorë kanë mbërritur në periferitë e Falluxhës, për t’i paraprirë një sulmi të pritshëm.Militantët xhihadistë nisën një ofensive masive në qershor të vitit 2014, duke pushtuar rajone të tëra në veri dhe perëndim të Bagdadit. Gjithsesi, forcat e sigurisë dhe luftëtarë aleatë i kanë zmbrapsur xhihadistët, edhe me mbështetjen e sulmeve ajrore të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara. Ushtria irakene rimori nën kontroll qytetin fqinj të Ramadit nga kontrolli i xhihadistëve në dhjetor të vitit të kaluar.

Fushata e zjarrtë elektorale në Australi u la në hije nga operacionet policore ndaj opozitës laburiste pas dyshimeve për informacione sekrete që tregojnë shpenzime të mëdha në rrjetin informatik të vendit, duke ngritur shqetësimin për abuzim me pushtetin.Partia Laburiste vuri në dyshim kohën e zgjedhur për aksionet e policisë dhe gjithashtu la të kuptohet se mbase qeveria i kishte bërë presion asaj. Por, kryeministri Malkolm Turnbull dhe kreu i policisë federale australiane Andrew Colvin i hodhën poshtë këto dyshime.Kontrollet e policisw në disa banesa të eksponentëve të opozitës e kanë ndezur edhe më shumë fushatën elektorale të zgjedhjeve të 2 korrikut, të cilat sondazhet tregojnë se do të jenë shumë të luftuara. Për sa i takon kontrollove, policia ndërhyri pas daljes në media të raporteve sekrete të Rrjetit Kombëtar të Komunikimeve.Kur laburistët ishin në pushtet, u miratua një plan prej 38 miliard dollarësh australianë për të lidhur 93% të vendit me fibra optike. Por, në raportet sekrete sugjerohet se kostot janë tejkaluar shumë dhe kohët janë zgjatur tej mase, duke ngritur shqetësimin për abuzim pushteti nga qeveria.Mediat australiane thanë se ndërhyrja e policisë ndaj opozitës u bë për të zbuluar origjinën e këtyre raporteve sekrete si dhe  mënyrën se si janë siguruar apo përdorur nga opozita. Por edhe për të verifikuar të dhënat që përmbahen në to. Autoritetet australiane thanë se nuk ka pasur asnjë ndërhyje ndaj policisë, e cila vepron plotësisht në mënyrë të pavarur, ndërsa kryeministri Turnbull kritikoi ashpër opozitën që vuri në dyshim ndershmërinë e policisë.

Visitors

297876
Today
Yesterday
This Week
Last Week
This Month
Last Month
All days
239
235
655
271152
4783
11199
297876

Your IP: 54.196.135.90
2018-01-17 15:23