Vokalistja e grupit të famshëm britanik Florence and Machine, bëri një ditë tejet të lumtur për njërën nga fanset e saj më të mëdha.Florence Welsh performoi për Karinya Chen pranë shtratit në spitalin e Teksasit ku 15-vjeçarja prej muajsh është e shtruar pasi vuan nga kanceri.E shoqëruar në kitare nga Rob Ackroyd, Florence këndoi për fansen e saj disa nga hitet si “Shake it out” dhe “Dogs days are over”.Karinya Chen kishte prerë biletën për të ndjekur nga afër koncertin e idhullit të saj në Austin, por fatkeqësisht mjekët i thanë se ishte tepër e sëmurë për të shkuar atje. Ishte vetë stafi i spitalit që organizoi këtë surprizë të veçantë për vajzën.“Përjetuam emocione të bukura, muzikë të mirë dhe lot pikëllimi e gëzimi, shpresë dhe dashurie bashkë, ku një gjest kaq i thjeshtë dhe i vogël i bëri gjërat të duken më mirë”, tha infermierja e Chen.

Erdogan apel grave: Jo kontraceptivëve, lindni fëmijë
Në përpjekjen e tij të radhës për të promovuar rritjen e popullsisë, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan gjatë një fjalimi televiziv u bëri thirrje familjeve myslimane të evitojnë përdorimin e kontraceptivëve dhe masat e planifikimit familjar.“Do ta them këtë shumë qartë. Duhet të shtojmë numrin e pasardhësve tanë. Njerëzit flasin për kontroll të lindjeve për planifikim familjar. Por asnjë familje myslimane nuk mund ta kuptojë dhe ta pranojë këtë”, tha Erdogan.Sipas Presidentit, nënat janë përgjegjëse për sigurimin e rritjes së numrit të popullsisë turke. Erdogan ka ngjallur kritika të ashpra nga grupe që mbrojnë të drejtat e grave në të kaluarën, pas komenteve se gratë nuk janë të barabarta me burrat e pasi u bëri thirrje atyre të lindin të paktën 3 fëmijë.“Një fëmijë nënkupton vetmi, 2 rivalitet, 3 balancë ndërsa 4 fëmijë janë bollëk”, ishte një prej deklaratave të famshme të tij. Në vitin 2014 lideri turk e cilësoi planifikimin familjar si një lloj tradhtie që do të sillte shterim të një brezi të tërë.Erdogan, 62-vjeç dhe bashkëshortja e tij, Emine, kanë 2 djem dhe 2 vajza. Vajza e tij më e madhe Esra ka 3 fëmijë. Numri i popullsisë turke shkoi në rreth 79 milionë vitin e kaluar ndërkohë që në vitin 2000 ishte 68 milionë.

Përdhunojnë në grup adoleshenten, publikojnë videon

Policia braziliane është vënë në ndjekje të më shumë se 30 meshkujve të dyshuar për përdhunimin e një adoleshenteje në Rio de Janeiro, duke e regjistruar ngjarjen e duke e publikuar videon nëpër rrjete sociale.Vajza 16-vjeçare është shprehur se me siguri duhet të jetë droguar pasi kishte shkuar në shtëpinë e të dashurit të saj ditën e shtunë, teksa më pas ishte zgjuar në një tjetër shtëpi, e rrethuar prej agresorëve.Policia ka lëshuar disa urdhërarreste, përfshi edhe për të dashurin e saj. Agresioni ka provokuar një fushatë nëpër rrjetet sociale kundër asaj që aktivistët e quajnë “kulturë të përdhunimit” në Brazil.Mbi ngjarjen ka disa versione kontradiktore, por ngjarja besohet të ketë ndodhur në një prej zonave komunitare me popullsi të varfër, në Perëndim të Rios, gjatë fundjavës. Sipas deklaratës që ajo ka dhënë në polici, e dhunuara ishte zgjuar të dielën e zhveshur dhe e lënduar, teksa kishte mundur të paktën të rikthehej në shtëpinë e saj.Deri këtu duket sikur do të ishte thjesht një histori e harruar, por vetëm pak ditë më vonë ai kishte zbuluar se përdhunuesit kishin publikuar imazhe dhe video të agresionit në “Twitter”. Videoja 40-sekondëshe ishte shpërndarë masivisht dhe ishte pasuar edhe me një valë komentesh me urrejtje ndaj femrave, përpara sesa llogaria e përdoruesit që e kishte publikuar të fshihej nga drejtuesit e rrjetit social.Duke folur për mediet lokale, nëna e vajzës së përdhunuar tha se familja e saj e kishte parë videon dhe kishte qarë. “Bëra gabim që e pash atë video. Kur mësuam mbi ngjarjen nuk po besonim se ç’kishte ndodhur. Është një krim i madh dhe një situatë tepër depresive”, tha ajo për gazetën “Folha de Sao Paulo”. “Vajza nuk është mirë, është konfuze sepse kjo ishte një ngjarje e rëndë”.

Të paktën 17 ushtarë indianë humbën jetën si pasojë e një zjarri masiv në një depo armësh në shtetin perëndimor të Maharashtrës. Zyrtarë të ushtrisë thanë se zjarri në depon pranë qytetit Nagpur shkakoi një seri shpërthimesh, duke bërë të detyrueshëm evakuimin e banorëve nga fshatrat rreth bazës.Zjarrfikësit aktualisht po përpiqen që të shuajnë zjarrin, i cili shkaktoi gjithashtu edhe 19 të plagosur. Sipas mediave, dy prej viktimave janë oficerë. Shkaku i zjarrit është ende i panjohur, por jo zyrtarisht, ushtria indiane ka përjashtuar mundësinë e një akti terrorist. Zjarri shpërtheu të martën në mëngjes dhe u përhap me shpejtësi në depon e armëve. Mediat lokale raportojnë se mbi 1000 civilë u evakuuan nga zona rreth bazës, ndërsa predhat fluturonin në të gjitha drejtimet.Incidnete të tilla, fatkeqësisht nuk janë të rralla në depot e armëve në Indi, ku siguria është kritikuar shpesh. Në vitin 2010, një zjarr në një prej depove më të mëdha të armëve në Panagar shkaktoi shumë shpërthime municionesh, por përfundoi pa viktima.Në vitin 2007, një tjetër zjarr në një depo armësh në zonën Anantang në Kashmir bëri të detyrueshëm evakuimin e mijëra njerëzve, pasi predhat e ndezura nga zjarri binin si breshër mbi zonat e banuara.

“Zika”, shkencëtarët: Shtyni ose spostoni Lojërat Olimpike nga Rio
Më shumë se 100 shkencëtarë me famë në botë kanë dhënë alarmin se Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros duhen zhvendosur e zhvilluar diku tjetër, ose të shtyhen në një periudhë tjetër, për shkak të përhapjes së virusit Zika.Grupi në fjalë thotë se të dhënat mbi virusin problematik e kthejnë në një çështje joetike faktin e të zhvilluarit të këtyre lojërave, e këtë e kanë bërë të ditur përmes një letre të hapur drejtuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë.Ata i bëjnë thirrje OBSH-së që të rishikojë urgjentisht udhëzimet mbi Zikën, një virus që lidhet me defekte serioze te të porsalindurit. Megjithatë, Komiteti Ndërkombëtar Olimpik njoftoi gjatë këtij muaji se, nuk shohin asnjë arsye për të shtyrë Olimpiadën për shkak të këtij virusi.Përhapja e gjerë e sëmundjes përmes mushkonjave nisi në Brazil rreth një vit më parë, ndërkohë që tashmë, më shumë se 60 vende dhe territore të botës vazhdojnë të hasin probleme me transmetimin e këtij virusi.Simptomat e Zikës janë të pandjeshme fillimisht, por në letër, ekspertët thonë se virusi shkakton lindjen e fëmijëve me çrregullime të theksuara mendore, për shkak të trurit të pazhvilluar mirë, dhe me kokë më të vogël se normalisht. Madje rrallëherë mund të shkaktojë edhe sindroma neurologjike fatale te disa të rritur.Letra është nënshkruar nga 125 shkencëtarë ndërkombëtarë, mjekë dhe gjykues të etikës mjekësore, nga institucione të tilla si Universiteti i Oksfordit, por edhe i Harvardit dhe Yale në Shtetet e Bashkuara.Ata citojnë dështimin e programit të çrrënjosjes së mushkonjave në Brazil, si dhe sistemin “e dobësuar” shëndetësor të vendit amerikano-latin si arsye bindëse për të shtyrë apo transferuar diku tjetër Olimpiadën, gjithmonë në emër të “shëndetit publik”.“Një risk i panevojshëm do t’u paraqitet rreth 500 mijë turistëve të huaj që do të zbarkojnë nga të gjitha vendet për të ndjekur Lojërat Olimpike, të cilët mund të marrin virusin dhe kur të kthehen në vendet e tyre të përbëjnë rrezik endemik”, thuhet në letër. Rreziku më i madh është ai nëse atletët do të preken nga virusi dhe, veçanërisht ata nga vendet e varfra, të cilat nuk e kanë përjetuar ende problemin e Zikës.

Visitors

346996
Today
Yesterday
This Week
Last Week
This Month
Last Month
All days
82
232
1069
320059
3614
5720
346996

Your IP: 54.198.27.243
2018-08-17 05:48