Turi i takimeve të kreut të opozitës, Lulzim Basha me strukturat e Partisë Demokratike, po zhvillohet në Jug të vendit. Nga Himara, kryedemokrati Basha tha se zgjedhjet e 30 qershorit ishin farsë dhe se nga sondazhet e kryera, PD sipas tij del forcë fituese.

“Në praninë e OSBE/ODIHR-it u faktua se ky njeri është i paaftë të organizojë zgjedhje të lira. Në këtë kuadër, përpjekja jonë opozitare jo vetëm që korri një sukses të plotë, por po ashtu bëri një matje shumë më të rëndësishme se çdo sondazh. Të gjitha sondazhet na nxjerrin forcë fituese, e nxjerrin opozitën shumicë qeverisëse, po sondazhi më i rëndësishëm ishte ai i 30 qershorit, ku 85 % e qytetarëve e refuzuan në mënyrë masive regjimin. Kjo është shumica “Rama ik” – u shpreh Kryetari Basha në takimin me demokratët e Himarës.

Kreu i opozitës tha se “interesi publik është i pari që sakrifikohet për interesat e Edi Ramës dhe një grushti njerëzish, me të cilët ka kapur dhe ka mbajtur pushtetin gjithë këto vite”

“Në këtë bashki ka grabitje të pronave, hajdutëri e hapur qeveritare, paligjshmëri, shkatërrim i sipërmarrjes së vogël e të mesme, mungesë totale e vizionit për zhvillimin ekonomik, në veçanti në fushën e turizmit apo të shfrytëzimit të detit dhe, mbi të gjitha, mungesën totale të çdo lloj përkujdesjeje ndaj interesit qytetar”, theksoi Basha.