Debutimi me roveshatë i Kocionis me Luftëtarin pushton mediat greke

Dhimitris Kocionis ishte afruar te Luftëtari për të bërë diferencën në qendër të mbrojtjes. Por futbollisti më i ri i gjirokastritëve ka bërë diferencën dje në Superiore me një gol të shkëlqyer me roveshatë në debutimin e tij, aq sa ka tërhequr vëmendjen e mediave edhe në vendlindje.

Mbrojtësi grek, i afruar vetëm pak ditë më parë në klubin shqiptar, është një emër i njohur në Greqi, ku ka luajtur rregullisht për shumë vite në kategorinë e dytë të këtij vendi, ndërsa është aktivizuar edhe me një klub me emër si Aris i Selanikut.

Ndaj eksperienca e tij shqiptare është ndjekur me shumë vëmendje nga mediat greke, të cilat i kanë kushtuar hapësirë këtij debutimi të tij. Portalet e njohura si “Gazzetta.gr” apo “SDNA.gr” kanë pasqyruar edhe videon e golit të mbrojtësit grek, duke theksuar sidomos faktin se ishte një debutim i veçantë pasi lojtari kishte shumë pak ditë në Shqipëri me klubin e Luftëtarit.