DESHTIMI NE MERKATON E VERES, LUFTETARI LARGON TE GJITHE “SLLAVET”

Pas serbit Vladan Milosavljev dhe boshnjakut Nemanja Janiçiç, “Panorama Sport’ mëson ekskluzivisht se klubi i Luftëtarit ka prishur marrëveshjen edhe me malazezin Balsa Radoviç.

Mesfushori 28-vjeçar iu bashkua Luftëtarit në gusht të vitit 2018, teksa u aktivizua në 12 ndeshje të kampionatit në pjesën e parë të sezonit (vetëm 8 prej të cilave si titullar). Lojtari i krahut nuk e bëri dot diferencën, duke qenë shumë larg pritshmërive në pozicionet ku deri një sezon më parë luanin Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu. Bashkë me Milosavljev dhe Janiçiç, “kolonia” sllave nuk la fare gjurmë te Luftëtari, duke zhgënjyer mbi të gjitha tifozët gjirokastritë.

Kjo konfirmoi se ata që negociuan për afrimin e tyre në verë, dështuan totalisht në përzgjedhje, duke filluar nga ish-drejtori Vangjel Çavo dhe ish-trajneri Millosh Kostiç, të cilët në fakt ikën me turp nga Gjirokastra, paçka se i pari vazhdon të qëndrojë ende si hije afër klubit bluzi. Paraqitja e dobët e lojtarëve sllavë detyroi presidencën të vendoste si kusht për qëndrimin e tyre uljen e pagës, pasi bëhej fjalë për futbollistë që merrnin nga 3 mijë euro në muaj dhe për më tepër kishin prishur disa ekuilibra në skuadër. Pasi e nisën vitin 2019 të tre në stërvitje me Luftëtarin, të parët që nuk pranuan ulje page ishin Milosavljev dhe Janiçiç, që zgjodhën të vazhdojnë karrierën në Rusi dhe Bosnje.

Ndërsa i fundit që shpalli divorcin ishte Radoviç, i cili pritet të rikthehet të luajë për ish-ekipin e tij, Lovcen. Mësohet se trajneri Gentjan Mezani u kishte kërkuar drejtuesve që të paktën të insistonin për të mbajtur shtatlartin Janiçiç, por gjithsesi tashmë të tre sllavët janë larguar dhe Luftëtari pret që deri në fund të merkatos të bëj edhe dy goditje.

Sipas të gjitha gjasave do të afrohet një qendërmbrojtës dhe një qendërsulmues, për të cilët drejtuesit po negociojnë dhe mund të ketë marrëveshje konkrete brenda 48 orëve. Afrimet zyrtare deri më tani janë mesfushorët me tipare sulmuese Realdo Fili dhe Angjelos Hanti, si dhe mbrojtësi i majtë maqedonas, Riste Ilijovski


Leave a Reply

Your email address will not be published.