Dyshime për dy raste të reja me antraks tek të imtat në Gjirokastër

Sëmundja e plasjes te bagëtitë e imëta duket të jetë sërish një këmbanë alarmi për fermerët e Gjirokastrës. Deri më tani janë dy raste të dyshuara, për të cilat pritet një përgjigje nga analizat e ISUV.

11 bagëti të imëta kanë ngordhur vetëm në muajin korrik në Gjirokastër si pasojë e sëmundjes së antraksit, e njohur ndryshe si plasja.

Alarmi ngrihet sërish në këtë qark për dy vatra të reja dyshuese në fshatrat Dhëmblan të Tepelenës dhe Jergucat në Dropull.

Kanë qenë barinjtë që kanë vënë në dijeni autoritetet veterinare pas anomalive të shfaqura tek të imtat.

Përgjegjësi i Sektorit të Veterinarisë në Gjirokastër, Landi Dame, thotë se janë marrë kampione gjaku tek këto dy vatra te reja dhe janë çuar për analiza në ISUV në kryeqytet.

Dame kërkon nga fermerët që hasin probleme me të imëtat të kontaktojnë me shërbimin veterinar.

Të imtat në Gjirokastër preken shpesh nga sëmundja e plasjes si pasojë e infektimit nga bacilli i plasjes mikrob, i cili qëndron aktiv 40 vjet nga momenti fillestar që nuk është eleminuar. Në kushtet e sotme me temperatura të larta, plasja gjen favorizim.