Goditi me qytën e pistoletës kambistin dhe gruan e tij në Memaliaj e iu mori paratë, arrestohet në Shkodër autori

lirjan Korbi është autori i dhunës dhe grabitjes së kambistit në Gjirokastër, Mustafa Mustafai, ndërsa plagë mori edhe bashkëshortja e tij, Thëllëze Mustafai, 67 vjeçe. Ai grabiti rreth 50 mijë lekë të reja në dyqanin e çiftit të moshuar si dhe një aparat telefoni dhe menjëherë pas ngjarjes është arratisur në drejtim të Shkodrës për të humbur gjurmët. 

SHKODER – Arrestohet në Shkodër autori i grabitjes së kambistit në Memaliaj, ngjarje kjo e ndodhur në 22 janar të këtij viti . Në prangat e policisë ka rënë 29-vjeçari nga Paskuqani, Ilirjan Korbi. Ai dyshohet si autor i dhunës ndaj Mustafa Mustafait, 70 vjeç dhe bashkëshortes së tij Thëllëze Mustafai, 67 vjeçe. Pasi ushtroi dhunë ndaj dy të moshuarve, ai grabiti edhe një shumë parash prej 50 mijë lekë të reja si dhe një aparat telefoni. 

Mustafai ishte kambist dhe në momentin e ngjarjes ndodhej brenda dyqanit të tij. Ai dhe bashkëshortja u goditën me qytën e pistoletës nga Korbi dhe morën plagë të rënda në kokë. Të dy ata përfunduan në spitalin e Gjirokastrës “Omer Nishani” për mjekim.  

Një javë nga kjo ngjarje policia ra në gjurmët e autorit i cili fshihej në Shkodër. Falë një operacioni të zhvilluar në kryeqendrën e veriut u bë e mundur arrestimi i Ilirjan Korbit, 29 vjeç banues Paskuqan, Tiranë. Ai ishte arratisur në drejtim të Shkodrës menjëherë pas ngjarjes për të humbur gjurmët