Greqi, shqiptari përplas 5 çiklistë në mes të errësirës, vdes vëllai binjak 14 vjeçar

Një 44-vjeçar shqiptar ka përplasur me makinë 5 çiklistë ku mbeti  i vdekur një 14 vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Karavomylos të Greqisë, rreth  orës 22:00 të mbrëmjes së të enjtes. Rruga në të cilën fëmijët po ecnin me biçikletat e tyre ishte e errërt edhe pse ata i kishin të ndezura fenerët dhe dritat e pasme, shoferi i pa në momentin e fundit. Ai po ecte me shpejtësi dhe manovroi për të shmangur biçikletën e parë, por humbi kontrollin dhe ra ndjeshëm në biçikletën e dytë dhe goditi të tretin.

Sipas medias greke Lamia Report, njëri prej fëmijëve u plagos rëndë ndërsa vëllai i tij binjak dhe një shok tjetër bashkëmoshatar shpëtuan. Babai i viktimës ishte  një mjek i njohur në atë zonë dhe pas lajmit  nxitoi tek fëmija i dëmtuar për të dhënë ndihmën e nevojshme. Ai së bashku me personelin mjekësor bënë çmos për ta mbajtur në jetë por nuk arritën dot për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë i mituri.

Djali u dërgua me shpejtësi në urgjencë ku dhe ndërroi jetë nga plagët e marra. Drejtuesi i automjetit u arrestua dhe priten rezultatet nëse ai ka qenë në gjendje të dehur apo të droguar në momentin e aksidentit. Banorët e zonës u shprehën  se rruga në të cilën ndodhi aksidenti  ishte një rrugë e errët, “thertore”, pasi në shumë vende në zonat e banuara nuk ka ndriçim dhe asnjë trotuar, duke i detyruar ata të ecin në errësirën në rrugë, gjë që sjell rrezikimin e jetës së tyre.