Kujtohet në Prishtinë 90-vjetori i regjisores Xhanfise Keko, ‘Koha e Pelikulës’ vjen si rrëfim

Në Kino ABC u shfaq filmi “Koha e pelikulës” i regjisorit Mevlan Shanaj, që i dedikohet regjisores që hodhi themelet e filmit artistik shqiptar për fëmijë

Filmi dokumentar “Koha e Pelikulës” me regji të Mevlan Shanaj u shfaq në Prishtinë me rastin e 90-vjetorit të lindjes së regjisores shqiptare Xhanfise Keko. Premiera e këtij filmi u dha enjten në Prishtinë nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë. Siç u tha, me imazhet e saj Keko ka lënë një vepër të pashlyeshme në kujtesën e shqiptarëve për gjenerata të tëra dhe ka lënë trashëgimi kulturore të vlefshme.

Dokumentari kushtuar Xhanfise Kekos “Koha e pelikulës” është konceptuar si një rrëfim i autores, i mbështetur në librin e saj “Ditët e jetës sime”, kujtime, dhe libri i shkruar nga aktorët e saj të vegjël “Teta Xhano”. I organizuar në skenar nga Natasha Lako, brenda këtij materiali si bazë shërbejnë kujtimet e Xhanos të qëmtuara dhe të lexuara si monolog. Materialet ilustruese të ngarkuara me imazhe, nga arkivi, kronikat, filmat artistikë dhe mjediset kryesore të autores, që nga qyteti i lindjes Gjirokastra, Dardha fshati i Endri Kekos, bashkëshorti.

Pas Premierës së filmit, në fjalën e tij ministri Gashi tha se MKRS-ja dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë çdo vit nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor me qëllim të realizimit të aktiviteteve të dakorduara nga të dyja palët: “Unë si ministër i Kulturës jam i përkushtuar që edhe me tej saj të mbështes nisma dhe iniciativa të ndryshme për shënimin e ditëve dhe datave të veçanta, të cilat kanë për qëllim afirmimin e mëtejmë të kombit tonë e të qytetarëve tanë. “Zonja e madhe e filmit shqiptar”, siç quhet me të drejtë, më 4 janar mbushi 90 vjet, ne sot po e festojmë së bashku ditëlindjen e saj pasi e meriton nderimin e Kosovës artistja e madhe që na nderoi e na bëri krenarë të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Gashi.

Gashi ka rikujtuar një nga një filmat e realizuar nga Keko, si “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, duke theksuar se ajo shkëlqeu me tërë forcën e talentit të saj, konstatojmë se, përpos të tjerave, imazhet e saj ndërtojnë atë forcë shprehëse të botës shqiptare, e cila inkuadron për herë të parë në botën saj interesat e fëmijëve që të çojnë gjithnjë e më tepër drejt lirisë dhe përparimit. “Koha ka treguar se ajo i ka kapërcyer caqet e një autoreje filmi për fëmijë, pasi tematikat e filmave të saj mbeten aktuale sa u takon marrëdhënieve të fëmijëve me natyrën, prindërit, shokët, mësuesit, misterin, dhunën, të vërtetën e padrejtësitë”, tha ministri Gashi.

Në fund ministri Gashi falënderoi ambasadorin e Ambasadës së shtetit shqiptar z. Minzhozi, i cili në të vërtetë ishe nismëtari që këtë ngjarje ta shënojmë bashkërisht në Prishtinë, ne do të angazhohemi që të tilla të shënojmë edhe me tej, duke qenë përherë mirënjohës për kontributin dhe gjurmët e pashlyeshme që na lanë figurat e rëndësishme, siç ishte e ndjera zonja Keko.

Qemal Minxhozi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, u shpreh se si shqiptar i përket gjeneratës që fëmijët e tij kanë lindur në kohën kur regjisorja ka bërë filma, duke u dedikuar moshave të ndryshme, kurse si bashkëkohës i saj ai tha se ndihet me fat. Ndërsa si ambasador ai thotë se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar në këtë eveniment kaq të rëndësishëm.