LUFTETARI DHE LACI NDAHEN NE BARAZIM 1-1,POLEMIKA PAS NDESHJES SHKAK NJE PENALLTI E DYSHIMTE NE FAVOR TE EKIPIT LACIAN

Pasditen e se shtunës në stadiumin Gjirokastra u zhvillua takimi Luftëtari-Laçi në kuadër të javës së 6-t të Kategorisë Superiore dhe u ndal në barazim 1-1. Ndeshja nisi vrullshëm për të dyja ekipet dhe në minutën e 10-t Donald Rrapo pas një gjuajtje të fuqishme nga distanca dhe falë devijimit të portierit laçian Stazhilla shënoi golin e avantazhit për ekipin gjirokastrit.Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e skuadrës bluzi. Pjesën e dytë ekipi i Luftëtarit u mundua të mbrohej për të mbajtur rezultatin deri kur në minutën e fundit të ndeshjes ekipi laçian fitoi një 11 metërsh të dyshimtë të cilin e shndërroi në gol sulmuesi Nuabueze. Në një prononcim për mediat kapiteni i ekipit bluzi dhe njëkohësisht shënuesi i golit Donald Rapo ka pohuar se golin e realizuar ia ka dedikuar ish futbollistit të ndjerë Bashkim Gaxhajt për të cilin është mbajtur një ceremoni përkujtimore para fillimit të takimit ku lojtarët e të dy ekipeve vendosën buqeta me lule te fotografia e tij.  Trajneri i Luftëtarit Jorgos Marandas është shprehur se pavarësisht rezultatit të padrejtë ishte i kënaqur nga paraqitja e skuadrës. Klubi i Luftëtarit pas përfundimit të ndeshjes ka dalë me një reagim zyrtar drejtuar sektorit të garave pranë federates shqiptare të futbollit ku është cituar se në qoftë se bëhen sërish padrejtësi në dëm të skuadrës do synojë tërheqjen nga gara dhe veç kësaj kërkon që arbitri i cili gjykoi takimin Olsi Ferrataj mos jetë i pranisëm në asnjë takim futbollistik të ekipit për të gjykuar. Ekipi bluzi pas 6 ndeshjeve ndodhet në vendin e 9 në kuotën e 5 pikëve.