Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar se duke nisur nga muaji dhjetor, qytetarët që do të rinovojnë lejen e drejtimit do të duhet të freskojnë njohuritë mbi sigurinë rrugore.
DPSHTRR thotë se ky vendim është marrë nisur nga numri gjithnjë në rritje i përdoruesve të rrugës, ndryshimet në aktet ligjore shqiptare e direktivat europiane dhe nevoja për përditësim të drejtuesve të mjeteve rrugore.
Broshura me karakter detyrues dhe falas është një intervistë e shkurtër verifikuese dhe një apel-kujtesë e përgatitur nga ekspertë të fushës.
“DPSHTRR nga dhjetori 2021 (muaj me fluks të lartë aplikimesh edhe nga ardhja e shumë emigrantëve) do të nisë ofrimin e DETYRUAR të freskimit të njohurive dhe informacioneve më thelbësore mbi sigurinë rrugore, kujdesin ndaj fëmijëve e pasagjerëve në kabinë, vëmendjen ndaj pedaluesve e këmbësorëve, sjelljen në trafik e në zonat urbane, pikat e nxehta të rrezikut, orientime mbi masat e reja nga ndryshimet në Kodin Rrugor dhe Rregulloren e KRR (VKM153), risitë nga Automotorizimi Shqiptar, ARSH, Siguracionet, Policia Rrugore, Ndihma e Parë, bashkitë, importimi i mjeteve rrugore e detyrime/të drejta!”-thuhet në njoftim.