Kreu i PD, Sali Berisha ka vënë në shënjestër të akuzave qeverinë ‘Rama’ sa i takon sistemit arsimor në vend.
Në një takim me mësuesit për festën e 7 marsit, Berisha tha se në 9 vitet e fundit janë mbyllur 760 shkolla, si dhe është reduktuar numri i mësuesve.
“Kjo qeveri ka kryer një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve me krijimin e kushteve për shpopullimin e vendit. Janë mbyllur 760 shkolla, është reduktuar në mënyrë të frikshme numri i mësuesve. Mësuesit shqiptarë sot paguhen dy herë më pak se mësuesit në Kosovë, Mal të Zi dhe se mësuesit në çdo vend të rajonit.
9 vite më parë ata kishin pagat më të larta në rajon. U bë një përpjekje e madhe për të ngritur një infrastrukturë moderne arsimore. U ndërtuan në një hark kohor 8-vjeçar mbi 1300 shkolla, kopshte dhe institucione të tjera të arsimit. U shtri interneti në çdo shkollë, u bënë përpjeke të mëdha për modernizimin e mësimdhënies. Shqipëria pati ngjitje vertikale në sistemin e Pizas. Sigurisht që ishte larg pozicionit që do të donim, por ngjitja ishte vertikale dhe kjo ishte meritë e mësuesve tanë.
Universitetet u shndërruan në universitete të dyerve të hapura për fëmijët e shqiptarëve”, tha Berisha.
Sipas tij, Rama e shndërroi arsimin në një sistem të përçmuar dhe se buxheti u zvogëlua në mënyrë dramatike.
“Në 9 vite, buxheti për arsimin, u zvogëlua në mënyrë dramatike. Sistemet e instaluara u zhdukën.
Shkollat, ndërtimi i tyre u shndërrua në mekanizmin e vjedhjeve monstruoze. Një shkollë që në manualet e ndërtimit të vendeve të BE-së, kushton 680 mijë euro, një shkollë që ka të gjitha mjediset dhe kushton kaq, në vende ku rrogat janë shumë më të larta se këtu.
Në Shqipëri jo që nuk kushton më lirë, por në Shqipëri vetë ky kryetari i Bashkisë ndërton shkolla me 6 mln euro, si në asnjë vend të botës. Si i ndërton 6 mln euro? Vjedh 80-90% të fondit për ndërtimin e saj. Shkolla të tjera, në vend që të jenë të pajisura dhe me kushtet ndër më modernet, janë pa ngrohje, janë me mungesa. Në këtë mënyrë arsimin në Shqipëri, Edi Rama e shndërroi në një sistem të përçmuar.
Në një sistem në të cilin qeveritarët, në kurriz të mësuesve, nxënësve, fëmijëve, studentëve shohin se si të pasurohen vetë. Do të mbetet e pashlyer në memorien e shqiptarëve, vendimi i Edi Ramës për të caktuar rektorin e Universiteti të Tiranës me një pengmarrës, sepse donte që tenderat ti fitonte ai pikërisht.
Mësuesit sot dhe punonjësit e administratës janë shndërruar në skllevër të cilët detyrohen të shprehin pëlqimet për një organizatë kriminale e faktuar me të gjitha dokumentet, që mjerisht quhet Qeveri shqiptare”, u shpreh kreu i PD