Bosnja dhe Hercegovina kërkoi ndihmën e Gjermanisë të martën për përshpejtimin e shpërndarjes së vaksinave të Covid-19 përmes iniciativës COVAX dhe shprehu zhgënjimin me programin e administruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin me homologun e saj gjerman, Heiko Mass, Ministrja e Jashtme boshnjake Bisera Turkoviç tha se Bosnja ka paguar për planin global të shpërndarjes së vaksinave, COVAX por nuk ka marrë akoma asnjë furnizim me vaksina nga ky program.
“Qytetarët tanë janë, me të drejtë, të pakënaqur, dhe për këtë arsye unë i kërkova Ministrit Maas sot të na ndihmojë në bisedimet me Komisionin Evropian për të zgjidhur këtë problem”, tha ministrja Turkoviç.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se COVAX ka në plan të shpërndajë vaksina në 140 vende deri në fund të majit, përfshirë Bosnjën, e cila pritet të marrë 130,000 doza.
Maas tha se ai e kupton se afati kohor për furnizimet me vaksina nga programi COVAX mund të duket jo aq i shpejtë për vendet që po i presin ato me padurim. Ai gjithashtu tha se ka vende që u ofrojnë vaksina vendeve të tjera “në këmbim të sjelljeve më të mira politike”, por ai nuk i përmendi ato me emër.
Bosnja e ndarë në vija etnike filloi vaksinimet e pjesshme muajin e kaluar pasi Republika Serbe e Bosnjes mori sasinë e saj të parë prej 5,000 vaksinash ruse Sputnik V dhe punonjësit shëndetësorë në Serbinë fqinjë u ftuan të bënin vaksinat.
Javën e kaluar, Serbia dhuroi gjithashtu 10,000 doza të vaksinës AstraZeneca në rajonin tjetër të Bosnjës, federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët.
Federata boshnjako-kroate tani është në pritje të 2.1 milionë vaksinave të porositura nga shteti përmes programit COVAX dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, Bosnja njoftoi një rritje të numrit të vdekjeve nga koronavirusi të martën me 48 vdekje të tjera, duke e çuar në mbi5,000 numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga Covid-19 në vendin me 3.5 milionë banorë.
Bosnia kërkon ndihmë nga Gjermania për vaksinat.