Çfarë po ndodh me serrat e ngritura vite më parë nga të ardhurat e punës në emigracion? Pse fermerët e Lushnjës dhe Beratit po lënë investimet e tyre për të punuar sërish në emigracion? Bujqit tregojnë shqetësimet, që nga mospërballimi i rritjes 25% të kostos së prodhimit, që nisi me ndryshimet e skemës së TVSH në 2019, dhe shtrenjtimin vjet me 27% të çmimit të plastmasës, dyfishimin e çmimeve të inputeve bujqësore e deri te mosgjetja e tregut të shitjes që solli falimentimin e serave dhe rikthimin e tyre në emigracion.
Fatmir Ndoja, me origjinë nga Tropoja, investoi në vitin 2010 në fshatin Lunas të Lushnjës, 8 milionë lekë për blerjen e 30 hektarëve tokë bujqësore dhe ngritjen e një serre me sipërfaqe 5 dynymë, me të ardhurat e kursyera pas 11 vitesh punë në emigracion. Në serrë, Fatmir Ndoja kultivonte domate, tranguj, speca dhe bostan.
Në vitet e para, aktiviteti lulëzoi, ndërsa prej 3 vitesh, të ardhurat nga mbjellja e serave janë me humbje. Për shkak të shitjes së prodhimeve nën kosto, Fatmir Ndoja vendosi që këtë vit të mos kultivojë më perime në serrë, por të emigrojë në Gjermani për të punuar në ndërtim kundrejt pagës prej 15 euro/ora.
“Në 2010-n, të ardhurat e kursyera nga puna e emigracionit në Greqi dhe Belgjikë i investova në bujqësi. Investimi fillestar për ngritjen e serës kushtoi 4 milionë lekë. Për blerjen e tokës me sipërfaqe 35 ha, shpenzova 4 milionë lekë të tjera. Në vitet e para, fitimet vjetore nga prodhimi ishin të kënaqshme, arrinin deri në 15,000 euro.
Tashmë prej 3 vitesh vijojmë të prodhojmë perime dhe zarzavate me kosto të lartë, ndërsa i shesim me çmime nën koston e prodhimit. Kjo situatë na ka shkaktuar humbje të larta, të papërballueshme. Për këtë arsye kam vendosur të largohem përsëri në emigracion”, tregon fermeri nga fshati Lunas i Lushnjës, në bisedën e zhvilluar me revistën “Monitor”.
Fermerët e serrave, në vështirësi nga rritja e kostove 25%
Humbjet nga prodhimi i serrave nisën në 2019-n, kur filloi zbatimin ndryshimi i skemës së TVSH-së të kompensueshme nga 20% që ishte më parë në 6%.
Diskutimet për ndryshimin e skemës u shoqëruan në 2018 me protesta nga fermerët, të cilët paralajmëruan se reduktimi i shkallës së kompensimit do t’u rrisë kostot e prodhimit.
Në vitet më pas, humbjet nga prodhimet bujqësore u thelluan, për shkak të rritjes së çmimit të fidanëve për të mbjellat, inputet bujqësore dhe naftës. Në anën tjetër, fermerët shprehen të shqetësuar se nuk arrijnë dot të gjejnë treg shitje për produktet e tyre.
Mbingopja e tregut nga prodhimi i domates, specit, trangullit apo bostanit ka ndikuar në rënien
çmimit të shitjes. Prej disa vitesh, fermerët po shesin produktet e tyre nën kosto, arsyeja kryesore që e ka kthyer investimin e ngritjes së serave të paleverdishëm.
Kostoja e prodhimit për 1 dynym serrë është rritur mbi 25%, ndërsa çmimi i shitjes së produktit final është shumë i ulët.
“Kostoja për prodhimin e 1 dynym domate, duke nisur me shpenzimet për blerjen e fidanëve, kostoja prej 20,000 lekësh për spërkatjen e bimëve me plehra kimikë, pagesat prej 1,000 lekë/dita për punëtorët që vjelin domaten, çmimet e larta të blerjes së plastmasës për të zëvendësuar atë të dëmtuarin dhe pagesat e agronomit, vjet ishin 130,000 lekë nga 100,000 që kushtonte në periudhën 2019-2020. Vjet domatet i shitëm 200 lekë/arkën (arka ka 18 kg domate).
Mungesa e tregut për shitjen e domates më detyroi që vjet t’i hedh në kanal 30 tonë prodhim. Prodhimi në serra ka një veçori, nëse një vit nuk arrin dot të marrësh paratë e investuara, nuk arrin të rimëkëmbesh edhe vitin tjetër. Deri tani, arritëm të mbijetonim me të ardhurat tona, pa ndihmën e askujt, nuk kemi mundësi financiare të vazhdojmë prodhimin.
Për këto arsye, vendosa që këtë vit të mos mbjell asnjë kulturë në serrë dhe të rikthehem në emigracion. Në fshatin Lunas, shumica e fermerëve kanë shkuar sërish në emigracion. Sot nuk gjen asnjë të ri në fshat, pasi kanë emigruar”, pohon fermeri Ndoja, zotërues i serës me sipërfaqe 5 ha.
Ai shpjegon se e ka të pamundur të kultivojë kultura të tjera bimësh, pasi çmimet e larta të inputeve bujqësore i kanë shtuar pesimizmin për punimin e tokës. “Çmimi i uresë nga 3,500 lekë/kv – 4,000 lekë/kv, sot shitet 9,000 deri në 10,000 lekë/kv. Çmimi i shitjes së 1 kv gruri varion nga 2,500 deri në 3,500 lekë/kv. Nëse llogarit shpenzimet që nga ureja dhe kostot e mbjelljes, fitimet nga korrja janë zero”.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, vitin e kaluar, fermerët shitën 90% të produkteve të tyre nën kosto. “Kjo është arsyeja kryesore pse shumë fermerë po lënë tokat djerr, po braktisin investimet në serra dhe po largohen. Në zonën e Lushnjës dhe më tej janë me qindra raste fermerësh që investuan në ngritjen e serrave me të ardhura nga emigracioni dhe tashmë po braktisin investimin për të punuar në serat e Sicilisë apo Kretës.
Sektori i bujqësisë vijon të mbetet kaotik, pasi mungojnë subvencionet, kur fermerët preken nga rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, apo fidanëve. Në këtë situatë, çdo investim i ri arrin të lulëzojë vetëm 3 vitet e para, ndërsa më pas, vetëm sa mbijeton”.
Prodhuesit nuk gjejnë treg për shitjen, hedhin produktet në kanal
Në zonën rurale të Lushnjës, që konsiderohet si zemra e zonës së Myzeqesë takon shumë fermerë të rinj, të cilët kanë braktisur investimet dhe po i rikthehen emigracionit.
Arsyet e lënies së serrës janë mungesa e gjetjes së tregut për shitjen e prodhimeve, ndërsa kostot e prodhimit nga viti në vit po bëhen të papërballueshme.
Në BE, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është 2-3%, ndërsa në Shqipëri është 20% e PBB-së. Raporti është shumë i zhdrejtë dhe që këtu nisin problemet për sektorin.
Në anën tjetër, zbatimi i subvencioneve do të lehtësonte kostot e prodhimit për fermerët dhe do t’i nxiste ata të punonin tokën. Për shkak të mungesës së mbështetjes së bujqësisë, fermerët po përballen çdo vit me humbje”./Monitor