Me flamuj dhe veshje tradicionale, është përkujtuar si çdo vit në jug të vendit me rastin e 81-vjetorit, “Jo-ja” greke.
Ceremonitë kanë startuar në varrezat e ushtarëve grekë në Grykën e Këlcyrës ku është mbajtur mesha në Manastir dhe më pas janë vendosur kurora me lule në varrezat ku prehën eshtrat e 650 ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke 1940-1941.
Në Këlcyrë kanë qenë prezentë ambasadorja greke Sofia Filipidhu, konsulli grek i Gjirokastrës Dimitris Saharidis, zv ministri i jashtëm grek Andreas Kasanjotis, si dhe deputetet minoritarë të Kuvendit të Shqipërisë Vangjel Dule kreu i PBDNJ dhe Niko Kuris deputet i PS për Sarandën.
Ceremonia ka vijuar në fshatin Bularat në Bashkinë Dropull ku përfaqësues të autoriteve greke dhe shqiptare kanë marrë pjesë në meshën e organizuar në kishën e fshatit.
Por krahas festës 28 tetori përkon dhe me 3 vjetorin e vdekjes së të riut Konstantinos Katsifas. Në krah të nënës së Konstantinos është shfaqur dhe ish-kampioni botëror në peshëngritje Pirro Dhima. Me pas në varrezat e ushtarëve grekë në fshatin Bularat janë vendosur kurora me lule nga zyrtaret grekë si dhe nga drejtuesit vendorë shqiptarë. Në një prononcim për mediat kreu PBDNJ Vangjel Dule ka folur për çështjen e të riut Konstatinos Katsifas ku sipas zhvillimeve të fundit të organeve të drejtësisë i riu rezulton se është vetëvrarë. Dule thotë se e vërteta duhet të zbardhet me çdo kusht ndërsa ngre dyshime se si policia ndryshoi raportin nga vrasje në vetëvrasje.
Policia pati ngritur postblloke në disa akse rrugore për të ruajtur rendin si dhe në pikat kufitare ka patur kontrolle intensive të udhëtarëve që hynin në tokën shqiptare.