Sonda më e fundit e NASA-s zbriti të enjten në planetin Mars pas një udhëtimi që filloi korrikun e kaluar.
Misioni i NASA-s, në një zonë ku mendohet se dikur kishte një liqen, është për të kërkuar shenja të jetës antike dhe për të mbledhur shkëmbinj që do të analizohen më pas në Tokë.
7 muaj udhëtim dhe 470 milion kilometër ka përshkuar anija kozmike e NASA-s për t’u bërë gati këtë të enjte që të zbarkojë në Mars. Një helikopter i vogël pritet që të bëjë të mundur zbarkimin e roverit amerikan në terrenin e planetit të kuq. Shkencëtarët thonë se kjo është pjesa më sfiduese e misionit. Sipas tyre, roveri duhet të ulet në një mënyrë sa më të sigurtë, sepse problemet në të shkuarën pikërisht prej kësaj problematike kanë ardhur.
Pyetja së cilës ata kërkojnë që t’i japin përgjigje është nëse ka shenja jete në Mars? Ky është misioni shkencor më i sofistikuar që ka organizuar ndonjëherë agjencia amerikane hapësinore. Krateri Jezero është zona e synuar për ulje, ku shkencëtarët e kanë studiuar më herët me anë të satelitëve. Sipas shkencëtarëve aty mund të ketë qenë një liqen gjigant në të shkuarën. Astrobiologët amerikanë janë të bindur se atje ku ka pasur ujë të bollshëm në të shkuarën, mbase ka pasur edhe jetë biologjike, dhe pikërisht këtë kërkojnë të zbulojnë me anë të pajisjes 2.7 miliard dollarëshe.
Ky është misioni i nëntë i NASA-s për në planetin e kuq. Më shumë se gjysma e anijeve kozmike të nisura për në Mars në të shkuarën, ose kanë shpërthyer, ose janë rrëzuar për shkak të aksidenteve në harduer apo softuer. Ky brez i ri i roverëve të Nasa-s, po përdorin një mënyrë tjetër për t’u ulur në sipërfaqen e Marsit.
Përveç Nasa-s, janë gjithashtu edhe misionet nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina që kanë filluar vitin e kaluar për të “pushtuar” planetin e kuq. Në vitin 2023, edhe Agjencia Europiane e Hapësirës pritet të zbresë në Mars roverin e saj Rosalind Franklin