Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot caktimin e përkohshëm të drejtuesve të Prokurorisë në Kavajë, Gjirokastër dhe Shkodër.
KLP caktoi për një periudhë tremujore Durim Bedinin, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, Julian Çafka, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Lazër Çardaku, në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
Me vendim unanim, Këshilli vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për Armanda Xhaferrin, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe për Ermira Tafanin, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për shkak dorëheqjeje.
Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi caktimin në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës të Englantina Shehu, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele.
Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, Etien Kapo, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të Kasem Berberi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të Erjon Imeraj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Astrit Halilaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës të prokurorit Arben Nika, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, duke lejuar kandidatin të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë.
Në përfundim të procedurës e verifikimit të pasurisë dhe figurës të Ines Dani, kandidate për t’u pranuar në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022, Këshilli vendosi ndalimin e kandidates për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës.