Shqipëria është prekur nga kriza energjitike, e cila ka sjellë rritje të kostos së jetesës. Duke vlerësuar pasojat e krizës globale të energjisë mbi ekonominë kombëtare, Konfindustria kërkon nga qeveria të themelojë Fondin Emergjent dhe Strategjinë e Menaxhimit të Krizës Energjitike.
Gjithashtu vë theksin te domosdoshmëria e krijimit të Tregut të Përbashkët të Energjisë Shqipëri- Kosovë.
Konfindustria kërkon, që në llogari të Fondit të Energjisë të kalojnë përvec të tjerash edhe financimet e plota ose të pjesshme, që sot bëhen për koncesione, PPP me rëndësi jo parësore si dhe fondet e investimeve kapitale jo të rëndësishme.
Ajo nënvizon se pasojat e krizës globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues, industritë dhe qytetarët me falimentime masive, papunësi dhe deri rrezikim të rendit kushtetues, nëse nuk merren masa parandaluese.