Me votë unanime Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta miratoi raportin përfundimtar të shkeljeve kushtetuese që sipas mazhoracës kreu i shtetit ka kryer para dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit.
“Të gjithë dakord miratohet raporti”.
Për më shumë se 3 orë kryetari i Komisionit Hetimor Alket Hyseni renditi argumentet ligjore që sipas tij provojnë se me veprimet e tij të përsëritura, Presidenti Meta ka cënuar imazhin e vendit dhe raporet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.
Në raportin final mazhoranca argumenton se kreu i shtetit bëri fushatë kundër partisë në pushtet duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhje me tonet e tij konfrontuese dhe të nxehta.
“S’ka pasur asnjë qëllim të justifikuar, i ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur. Kanë patur ndikim negativ në sferën sociale dhe ekonomike të vendit”.
Sipas mazhorancës, kreu i shtetit është përpjekur të ndërhyjë edhe në vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, organ që do të thotë fjalën e fundit për shkarkimin e tij.
Raporti final do t’i dërgohet brenda 7 ditëve për votim parlamentit. Kjo është hera e dytë që mazhoranca tenton shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.