Duke nisur nga nesër, Shqipëria do të mbyllet në orën 20:00 dhe jo në 22:00, siç është aktualisht, këtu përfshihet lëvizja e qytetarëve dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve. Komiteti Teknik i Ekspertëve ka prezantuar ditën e sotme masat e reja, të cilat erdhën si pasojë e rritjes së rasteve ditore. Këto masa do të jenë në fuqi deri më 25 shkurt, 2 javë vendimtare i ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu, pasi në varësi të respektimit të këtyre rregullave do të përcaktohet nëse do të ketë shtim të masave apo lehtësim të tyre në vijim.
Nisur nga ulja e grupshmoshave të të prekurve, është marrë vendimi që shkollat e mesme në 10 bashki që janë cilësuar si me rrezikshmëri të lartë, të kalojnë në skenarin e tretë, pra të bëjnë mësimin online. Nga ana tjetër, pavarësisht kërkesës së studentëve për t’u rikthyer në autore, Ekspertët kanë deklaruar se një gjë e tillë nuk është e mundur. Megjithatë, për të lehtësuar këtë proces, ato kanë vendosur që të zgjasin sezonin e provimeve, me qëllim që testet që nuk mund të bëhen online të zhvillohen në klasa.