Papa Françesku në vizitën e tij të parë në Irak mbajti një fjalim të fuqishëm përmes të cilit bëri thirrje për dhënien fund të dhunës terroriste, vëllavrasëse dhe fetare, që janë kthyer në plagë për vendin prej dekadash. Ai tha se është koha që t’i jepet një shans paqes.
“Uroj që zhurma e armëve të heshtë. Që përhapja e armëve të marrë fund, këtu dhe kudo. Feja, për nga natyra, duhet t’i shërbejë paqes dhe vëllazërisë. Emri i Zotit nuk mund të përdoret për të justifikuar aktet e dhunës, dëbimit, terrorizmit dhe shtypjes”, tha Papa Françesku.
Banorët e krishterë të Irakut e mirëpritën vizitën e parë të atit të shenjtë, e konsideruar gjithashtu ndër më të rrezikshmet.
“Ne nuk mund ta shprehim gëzimin tonë, edhe pse kjo është një ngjarje historike që do të mbahet mend. Të gjithë irakianet janë të gëzuar dhe jo vetëm ata të krishterë. Qoftë një ditë e bekuar për ne dhe gjithë popullin irakian”, shprehet Rafif Issa, qytetare e Irakut.
Papa Françesku vizitoi katedralen siro-katolike “Zonja Jonë e Shpëtimit”, ku u takua me liderët fetarë. Ai bëri homazhe për pengmarrjen e vitit 2010, kur mbetën të vrarë 52 persona.
“Papa Françesku pati një mikpritje entuziaste të premten në Bagdad, ku mbërriti për këtë vizitë të paprecedentë që do të zgjasë 3 ditë dhe do ta çojë atë në të gjithë Irakun. Të shtunën ai do të takohet me Ajatollahun shiit Ali Al Sistani, takim që do të ketë një rëndësi dhe një simbolikë të veçantë, pasi synon të intensifikojë dialogun ndërfetar, sidomos mes të krishterëve dhe myslimanëve. Të krishterët në Irak janë përballur me shumë probleme që prej 2003-shit dhe komuniteti i tyre është tkurrur me 90% në 15 vitet e fundit”