Aksidentet janë kthyer në një problematikë të mprehtë për shoqërinë duke shkaktuar dhjetra të vdekur çdo muaj në Shqipëri. Sipas të dhënave nga INSTAT, përgjatë periudhës janar-tetor 2021, humbën jetën në aksidente rrugore 165 shqiptarë.
Ky tregues është përkeqësuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, ku në rrugët e Shqipërisë vdiqen 153 persona.
Ndërkohë mësohet përgjatë 10 muajve të këtij viti janë aksidentuar 1 570 persona. Kjo shifër është më e madhe po ashtu krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Problematik është fakti se pjesa më e madhe e aksidenteve janë kryer nga grupmosha 25-34 vjeç. Në çdo tre shkaktarë aksidenti, njëri i përket pikërisht kësaj moshe. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 9,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ndërsa mësohet se pjesa dërrmuese e tyre kanë ndodhur për shkak të manovrave të gabuara të shoferëve.
Është e çuditshme se policia nuk raporton thuajse fare aksidentet që kanë ndodhur për shkak të mungesës së sinjalistikës rrugore apo problemeve të tjera që mund të ketë rruga për shembull, por gjithnjë fajtori gjendet ose te shoferi, ose te kalimtari.