Vëllimi poetik “KUSH BANON NË VJERSHËN TIME?” i autorit Dukagjinas nga Istogu Maxhun Osmanaj vjen në treg në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Ky vëllim është një libër i dedikuar lexuesve të vegjël edhe të rinj. Prej më shumë se dy dekadash autori sjell libra në treg , ndërsa ka 40 vite që merret me krijimtari letrare. Librat e tij janë në zhaner të ndryshëm si libra me tregime, prozë, poezi dhe publicistikë. Maxhuni nuk njihet vetëm si autor por ai është edhe një pedagog i vyer në mësimdhënie. Marrëdhënia e punës me të vegjlit i ka dhënë brumë-frymëzim. Vargu i tij dedikuar fëmijëve ngjallë kureshtje për fabulën që mbart në vetvete, figuracioni shndrin, ndërsa mesazhi përfshin një pjesë të mirë të psikologjisë së botës fëmijërore. Aty ka dashuri për brezat e ardhshëm, për nxënësit e tij, ka motive jetësore, ka vërtetësi.
Libri poetik ” KUSH BANON NË VJERSHËN TIME?” ka 52 poezi të ndara në dy cikle. Poezitë kanë tematika të ndryshme. Vargjet vijnë për Nënë Terezën, për lojrat e moshës, natyrën, atdheun, shkollimin, ëndrrat edhe brengat e fëmijëve.
“Vetë autori thotë se fëmijët janë krijesa të brishta, të pastra, me një botë imagjinare të paimagjinueshme, edhe se ata kanë nevojë për vëmendje, kujdes edhe përkushtim nga të rriturit. Ne pedagogët ndiejmë përgjegjësin e edukimit dhe shkollimit të tyre”.
Librin mund ta gjeni në libraritë e Prishtinës edhe në bibliotekën kombëtare të Kosovës. Maxhun Osmanaj ka në dorëshkrim dy libra në prozë; një për fëmijë, një për të rritur.