Në konferencën që mbajti për vrasjen e 8-vjeçarit në Fier, kryeministri Edi Rama u shpreh se adresimi i problemit do kohë. Ai hodhi akuza se përgjegjës për këto ngjarje të rënda janë edhe gjyqtarët e korruptuar, duke vënë theksin te dënimet që ata japin për personat që kanë konsumuar vepra të ndryshme penale.
“Problemi kryesor që kemi është raporti shumë i zhdrejtë mes rezultateve të policisë, numri i autorëve të arrestuar për krime të natyrave të ndryshme dhe për abuzime ndaj personit, me numrin e të dënuarve nga gjykatat. Bashkëautor në krimet e përsëritura janë gjykatësit, gjykatësit e korruptuar dhe të degjeneruar. Janë arsye pse procesi i vetingut për pastrimin e llumit është jetik dhe po vazhdon.
Njerëzit janë në të drejtën e tyre për të kërkuar ndryshimin e sistemit të drejtësisë menjëherë. Kjo nuk ndodh dot, objektivisht. Pasi të ndërtosh një sistem drejtësie siç duam të gjithë, nuk është një çështje thjesht e aprovimit të ligjeve të duhura. Kjo nuk mund të ndodhë në asnjë formë dhe mënyrë me shpejtësi”, tha Rama.
Ky i fundit u pyet dhe për akuzat për dhunë që janë drejtuar ndaj tij në Kuvend. Rama tha se gjuha e përdorur nga politika është një “barbari” e trashëguar nga regjimi komunist. Gjithashtu nënvizoi se gjuha fyese në Kuvend kontribuon në krijimin e një klime të rënduar psikologjike.
“Unë mendoj që politika me gjuhën e saj, me akuzat, kam parasysh atë burim të pasur të këtij pisllëku gjuhësor kontribuon në ushqimin e një klime psikologjike të rënduar dhe është përgjegjësi e madhe ta bësh këtë. Ashtu sikundër qysh në kohën e Romës, është përcaktuar vija ndarëse mes akuzuesve dhe të akuzuarve.
Por barabaria e trashëguar nga regjimi komunist, por sidomos nga ai, që ishte hapësiar ku u rrit një popull i tërë dhe posaçërisht e gjithë gjenerata e politikës së këtyre 30 viteve me asnjë ide për ekzistencën e të ndryshimit, rivalit, kundërshtarit në ide, por vetëm me ide se kush mendon ndryshe është armik, i cili duhet pushkatuar, burgosur, vazhdon ende të ketë bishtat e vet edhe në ditët e sotme. Është një çështje kulturore që nuk zgjidhet sa hap e mbyll sytë”, shtoi kryeministri.