Pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, buxheti i vendit tonë ka humbur rreth 133.4 mln lekë, si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje të tregtisë mes 2 vendeve. Kjo pasi, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet komuniteteve evropiane dhe Shqipërisë, pushoi së zbatuari në datën 1 janar 2021, kur Britania u shkëput tërësisht nga BE, ndërkohë që marrëveshja e re dypalëshe nuk hyri në fuqi po në këtë datë. Për këtë arsye, nga data 1 janar 2021 e deri në datën e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, mallrat me origjinë nga pala britanike të importuar në Shqipëri nuk kanë trajtim preferencial.
Sipas të dhënave zyrtare, nga të ardhurat e munguara në buxhet, 111,15 mln lekë janë taksë doganore dhe 22,24 mln lekë janë nga TVSH-ja. Ndërkaq, në kuvend është dorëzuar marrëveshja e re që pritet të nënshkruhet mes 2 vendeve, çka pritet të rivendosë marrëdhëniet tregtare dhe vijimin e bashkëpunimit dhe tregtisë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, me të njëjtat kushte preferenciale dhe pas daljes së saj nga Bashkimi Evropian. Sipas të dhënave të INSTAT, vlera e importeve me Mbretërinë e Bashkuar është rritur me rreth 20% në vitin 2019, krahasuar me vitin 2007, ndërsa pesha e importeve është rritur me rreth 34%.
Importet kryesore gjatë vitit 2019 janë makineri/pajisje, të cilat përbëjnë rreth 50% të totalit të importeve, vijuar nga produktet kimike e plastike me 20% dhe ushqime e pije me rreth 12%. Ndërsa, ekportet janë rritur me 2.3 herë në vitin 2019, në krahasim me vitin 2007. Mbretëria e Bashkuar përbën rreth 1.4% të totalit të importeve tona nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 0.4% të totalit të eksporteve në 28 vendet e Bashkimit Evropian.