Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka numëruar tashmë mbi 700 mijë vota. RTK raporton se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 48.17% të votave, e ndjekur nga PDK me 17.32% të votave dhe e treta LDK me 13.18% të votave.
Në Kosovë, procesi zgjedhor u zhvillua i qetë dhe pa asnjë incident serioz. Votimet për 120 mandatet parlamentare që ka Kuvendi i Kosovës u kryen në masa të rrepta sigurie shëndetësore. Ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, Kosova vendosi standard në procesin zgjedhor sa i përket procesit të numërimit të votave. Fitorja e bindshme e Lëvizjes Vetëvendosje u njoftua pak pas mbylljes së kutive të votimit ndërsa ishte paralajmëruar edhe më herët nga sondazhet.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 46.90 %, më e lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2019.
Ndërsa kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti njoftoi fitoren e zgjedhjeve, kandidati i PDK-së për kryeministër Enver Hoxhaj ka pranuar humbjen e forcës së tij politike e njohjen e rezultatit të zgjedhjeve.