Lëvizja VetëVendosje me bazë në Shqipëri ka nisur të publikojë kandidatët për deputete në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.Një prej tyre është Kreshnik Merxhani, i cili do të kandidojë për deputet në Qarkun e Gjirokastrës.Lëvizja VetëVendosje ende nuk është regjistruar si një parti politike dhe në zgjedhjet e ardhshme do të futet si një mbështetëse e shoqërisë civile.
“Lëvizja VetëVendjsje vijon të jetë një organizatë jo qeveritare politike. Ndoshta një hap cilësor në këtë drejtim do të merret pas këtyre zgjedhjeve, por për momentin vijon të jetë si e tillë dhe të mbështesë prapë si një shoqëri civile.
Ne do të jemi pa sigël në zgjedhje, por gjatë gjithë kohës do të jemi prezent me stendat tona, me aktivistët tanë ku ne kandidojmë dhe qarqet të mbështetur vazhdimisht nga lëvizja”, tha Merxhani.
Merxhani theksoi arsyet se përse Lëvizja VetëVendosje në Shqipëri nuk është regjistruar si parti politike. Arsyeja kryesore sipas tij lidhet me ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuara nga mazhoranca. Kjo e fundit sipas Merxhanit kanë një lloj agresiviteti ndaj forcave të reja që kërkojnë të hynë në zgjedhje.
“Koha shumë e shkurtër, ndryshimet shumë të shpeshta që i ndodhën kodit zgjedhor çuan në një paqartësi në të gjithë ne. Veçanërisht një lloj agresiviteti ndaj focave të reja që u duk qartë prej mazhorancës së sotme për të ndalur çdolloj iniciative, duke eliminuar disa formula që nuk e çojnë votën dëm. Kështu që kjo ishte pak a shumë një lloj analize brenda kësaj kohe shumë të shkurtër që nuk lejojnë në këtë kalim të hapi cilësor”, tha Merxhani.