Më 8 qershor, Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një ndeshje miqësore me atë çeke.
Lajmi konfirmohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila njofton se miqësorja do të luhet në Pragë.
Ndeshja në fjalë vjen 3 ditë pasi Shqipëria do të sfidojë në “Cardiff City Stadium” Uellsin.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e Shqipërisë me Republikën Çeke në histori.
Në të kaluarën Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 duele me Çekosllovakinë, nga të cilat 3 miqësore dhe dy ndeshje të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian.
Më 17 shtator 1950, Çekosllovakia fitonte ndaj Shqipërisë 3-0 në miqësoren e luajtur në Pragë, ndërsa më 29 nëntor 1952 Kombëtarja fitonte 3-2 ndaj çekosllovakëve në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Qemal Stafa”. Golat për tanët u shënuan nga Zihni Gjinali, Qamil Teliti dhe Skënder Jareci. Vetëm pak ditë më vonë, më 7 dhjetor 1952, Shqipëria zhvilloi një tjetër ndeshje miqësore me Çekosllovakinë, duke triumfuar sërish me rezultatin 2-1 falë golave të Zihni Gjinalit dhe Loro Boriçit.
Dy përballjet e fundit mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë zhvilluar më 1 maj 1991, ku Kombëtarja jonë u mund nga çekosllovakët me rezultatin 0-2 në Tiranë dhe e dyta më 16 tetor 1991 me Çekollsovakinë që fitoi 2-1 ndaj Shqipërisë në Olomouc. Të dyja takimet ishin të vlefshme për eliminatoret e Europianit 1992.
Në vitin 1993, Çekosllovakia do të shpërbëhej për të krijuar dy shtete, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Qysh prej asaj kohe Shqipëria dhe Çekia nuk janë përballur me njëra-tjetrën.
Kombëtarja e Çekisë drejtohet nga trajneri Jaroslav Šilhavý, ndërsa çekët aktualisht renditen në vendin e 42-të në klasifikimin e FIFA-s.