Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndalimin e çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, pasi ato hodhën në rrjet, në faqen “Homeland Justice”, shkëmbimet e postës elektronike të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë shqiptare Gledis Nano, të cilat u rimorën më pas nga mediat shqiptare. Njoftimin për urdhrin e prokurorisë e bëri të ditur drejtoria e Përgjithshme e policisë.
Sipas prokurorisë, “publikimi i këtyre të dhënave cenon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare”, ndaj paralajmëron procedim të mediave nëse vendos të bëjë publike këto të dhëna.
Por ky nuk është rasti i parë që ka ngritur shqetësim nga autoritetet shtetërore për kufizim të lirisë së medias.
Në qershor të këtij viti, Prokuroria ka urdhëruar edhe gazetarin e Ora Neës, Elton Qyno të mos publikojë më të dhëna mbi rrëfimin e vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani.
Vendimi erdhi pas një serie shkrimesh, që kishin të bënin me vazhdimin e rrëfimit të Dumanit, përtej ngjarjeve që çuan në operacionin e policisë “Plumbi i artë” kundër 18 personave të shpallur në kërkim dhe të arrestuar.
Ai u thirr në prokurori, ku i është komunikuar urdhri për të mos nxjerrë më detaje, për shkak të sekretit hetimor.
***
Më 9 shtator, sistemet informatike të policisë shqiptare u bënë objekt i një sulmi të dytë kibernetik, pas atij të muajit korrik. Autoritetet, bën përgjegjës sërish Iranin, dhe njoftuan se nga sulmi ishte goditur sistemi TIMS, i cili rregjistron hyrje daljet e personave dhe automjeteve nga Shqipëria. Por më pas u mësua se pjesë e goditjes kishin qenë dhe sisteme të tjera të policisë, e siç duket dhe shkëmbimet elektronike të drejtuesve të lartë të saj.
Kështu, dje, një seri emalesh të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nxorrën në pah shkëmbime informacionesh mbi persona të kërkuar, mbi atentate të mundshme ndaj politikanëve, si në rastin e ish drejtuesit të opozitës shqiptare Lulzim Basha, apo kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si dhe komunikime të zotit Nano me partnerë të huaj, për çështje sensitive, të konsideruara sekrete.