Rafael Nadal thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga tenisi, pavarësisht lëndimeve që po ia vështirësojnë sezonet.
Njëzetë herë kampioni i titujve Grand-Slam ka pësuar dhjetëra lëndime gjatë karrierës, më i fundit lëndimi në shpinë që e detyroi të tërhiqej nga turneu ATP-Cup.
Ai luajti në Australian Open, duke arritur çerek-finalet, por u detyrua të tërhiqej nga turneu Rotterdam Open këtë javë sërish prej problemeve me shpinën.
“T’ju them sinqerisht, s’mbaj mend të kem luajtur tenis pa ndjerë dhimbje,” – tha 34-vjeçari për revistën braziliane Veja.
“Vitet e fundit kam ndjerë më shumë dhimbje se zakonisht dhe më është dashur të mësohem me këtë, për aq kohë sa nuk do më ndalojë së luajturi,” – shtoi tenisti spanjoll.
Nadal ka treguar se për shkak të lëndimeve është detyruar të ndryshojë mënyrën e lojës, mënyrën e shërbimit, trajnimit dhe rutinës së përgjithshme si sportist.
Ai i ka vënë si qëllim vetes të marrë pjesë në Miami-Open që nis në fund të këtij muaji, përpara se të rikthehet sërish te specialiteti i tij, ndeshjet në fushat me dhe ku synon me patjetër të fitojë titullin e 21-të Grand-Slam, me shpresën që të kapitalizohet që në French-Open.
Duke parë moshën dhe rendimentin me luhatje së fundmi, shumëkush ka vënë në diskutim të ardhmen e të ashtuquajturit “Mbreti i fushave me dhe”, mirëpo vetë Nadal thotë se “nuk ka ndërmend të tërhiqet deri sa të jetë në mundësi për të dhënë 100-përqindëshin në fushë”.
Gjatë turneut Australian-Open, Nadal ndryshoi shërbimin duke e bërë disi më të butë, kjo me qëllim që të kursente sforcimet në shpinë. Ai tha se kjo bëri që ta ndjente më të lehtë përballjen e turneut. Mirëpo kjo mbetet për t’u parë nëse ai do të vijojë të mbajë të njëjtën qasje.
I pyetur për marrëdhënien e tij me tenistët e tjerë të “treshes”, Novak Djokovic dhe Roger Federer, Nadal tha se ka marrëdhënie të mirë. “Jemi rivalë vetëm gjatë ndeshjeve, lufta ndodh vetëm në fushën e tenisit” – theksoi spanjolli.