Zbardhet paketa e propozimeve të Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me Vettingun e politikanëve dhe Reformën Territoriale.
Sa i përket Vettingut të politikanëve, Partia Demokratike ka propozuar që të jetë njësoj me Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku funksionarët do t’i nënshtrohen kontrolleve në 3 fusha; atë të integritetit, pastërtisë së figurës dhe pasurisë.
Që në fillim, selia blu propozon që në Nenin 1, të ndryshohet fjalia e parë e pikës 3 të Nenit 45 të bëhet: “Përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
PD kërkon që për kontrollin e integritetit të politikanëve të ngrihet një sektor i posaçëm në SPAK, që do të quhet ‘Sektori i luftës ndaj korrupsionit dhe garantimit të integritetit në rradhët e funksionarëve të lartë shtetërorë’.
Funksionarët apo zyrtarët shtetërore të cilët duhet t’i nënshtrohen kontrollit të integritetit, PD propozon që të jenë deputetët, Kryeministri, ministrat, Presidenti, kryetarët e bashkive, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kryetari i KLSH, Avokati i Popullit dhe drejtori i SHISH.
Kontrollit të integritetit duhet t’i nënshtrohen edhe familjarët e zyrtarëve të sipërpërmendur, thotë PD, por edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji.
Zyrtarët shtetërore do t’i nënshtrohen gjithashtu edhe kontrollit të pastërtisë së figurës dhe kontrollit të pasurisë
Ky sektor do të përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK të cilët do të zgjidhen me short çdo 3 vjet.
“Vendimi i konfirmimit në funksion apo moskonfirmimit në funksion merret nga Kolegji i Vlerësimit pranë SPAK. Në rast se vendoset moskonfirmimi në detyrë, funksionari publik pezullohet nga detyra, derisa vendimi të jetë përfundimtar. Për të siguruar funksionimin normal të institucioneve kushtetuese, vendimmarrja në procesin e kontrollit të integritetit bëhet sipas një rradhe dhe afateve të përcaktuar me ligj, që garantojnë vijimin pa ndërprerje të punës së institucioneve kushtetuese. Të parët që i nënshtrohen procesit të kontrollit të integritetit janë anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërore.
Procesi individual për një funksionar publik për kontrollin e integritetit nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit nga momenti që Kolegji i Vlerësimit fillon shqyrtimin e thelluar të çështjes. Gjykata Kushtetutese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm kur konstatohet se i zgjedhuri ose i emëruari përfshihet në rrethin e subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose kanë pasuri të pajustifikuar ligjërisht. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për tu zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet. Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen në seancë plenare”, thuhet në propozimin e Partisë Demokratike.