Sektori bankar në Shqipëria vijon të konsiderojë zhvillimet ndërkombëtare dhe dobësimin e ekonomisë së brendshme si kërcënimet kryesore për stabilitetin financiar në vend.
Sipas një vrojtimi të realizuar nga Banka e Shqipërisë për gjysmën e dytë të vitit 2025, bankat janë shprehur të shqetësuara për ndikimin që mund të kenë tensionet ekonomike dhe gjeopolitike globale në sistemin financiar shqiptar. Edhe pse perceptimi për këtë rrezik është zbutur krahasuar me periudhën e mëparshme, zhvillimet e fundit ndërkombëtare pritet të rikthejnë pasiguri të reja gjatë vitit 2026.
Një tjetër element që vazhdon të mbetet shqetësim për bankat është tregu i pasurive të paluajtshme. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të apartamenteve dhe pronave në vitet e fundit ka shtuar frikën për luhatje të mundshme në të ardhmen, sidomos duke pasur parasysh ekspozimin e lartë të kredive bankare ndaj këtij sektori.
Raporti evidenton gjithashtu se sulmet kibernetike mbeten një rrezik i rëndësishëm për sistemin bankar, megjithëse bankat kanë rritur masat mbrojtëse dhe investimet në sigurinë digjitale. Rritja e përdorimit të shërbimeve online dhe digjitalizimi i sektorit financiar kanë shtuar nevojën për mbrojtje më të fortë ndaj kërcënimeve kibernetike.
Nga ana tjetër, rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit dhe normat e interesit perceptohen më të ulëta krahasuar me periudhat e mëparshme. Forcimi i Lekut ndaj Euros konsiderohet tashmë më i stabilizuar, duke ulur ndikimin e tij si faktor pasigurie për bankat.
Sipas vrojtimit, mundësia e materializimit të këtyre rreziqeve vlerësohet relativisht e ulët në afat të shkurtër, por rritet në periudhën afatmesme. Megjithatë, sektori bankar shqiptar vijon të konsiderohet i qëndrueshëm, falë likuiditetit të lartë dhe situatës së mirë financiare të institucioneve bankare.
Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet gjeopolitike dhe ekonomike globale mund të ndikojnë në muajt dhe vitet në vijim, duke e mbajtur sistemin financiar përballë sfidave të reja.
