Amnistia Penale e miratuar së fundmi nga Kuvendi pritet të nisë zbatimin gjatë muajit korrik 2026, duke sjellë lirimin e menjëhershëm të qindra të dënuarve dhe uljen e dënimit për qindra të tjerë. Ligji u miratua me 84 vota dhe konsiderohet një nga masat më të rëndësishme të ndërmarra vitet e fundit në sistemin penitenciar.
Sipas të dhënave zyrtare, nga amnistia pritet të përfitojnë gjithsej 1,335 persona. Prej tyre, 466 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 869 të tjerëve do t’u reduktohet masa e dënimit. Përfitues janë personat që kanë marrë vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026.
Ligji parashikon trajtim më favorizues për kategori të veçanta si gratë, të miturit dhe personat në moshë të thyer. Mes të dënuarve që do të lirohen menjëherë përfshihen 11 gra dhe një i mitur, ndërsa ulje dënimi do të përfitojnë edhe 8 gra të tjera dhe një i mitur.
Megjithatë, amnistia nuk përfshin personat e dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë. Jashtë skemës mbeten autorët e krimeve të rënda kundër jetës, organizatat kriminale, trafiku i lëndëve narkotike, korrupsioni, pastrimi i parave, terrorizmi, si dhe çështjet që janë trajtuar nga Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Autoritetet e sistemit të burgjeve pritet të nisin menjëherë verifikimin e dosjeve për të identifikuar personat që përmbushin kriteret ligjore. Procesi do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, me qëllim që lirimet dhe reduktimet e dënimeve të zbatohen sipas afateve të përcaktuara nga ligji.
Amnistia synon jo vetëm lehtësimin e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit, por edhe krijimin e mundësive për riintegrimin në shoqëri të personave të dënuar për vepra me rrezikshmëri më të ulët. Ndërkohë, debati publik mbetet i hapur mbi ndikimin që kjo masë do të ketë në sistemin e drejtësisë dhe sigurinë publike në vend.
