Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar atë që e ka quajtur një vizion dhe plan veprimi për Shqipërinë 2021-2025 të qeverisur nga Partia Socialiste. Fokusi i prezantimit të sotëm ishte tek “Pagat, taksat dhe biznesi”.
Kryeministri bëri një parashtrim të gjatë për këtë çështje duke u shprehur se vetëm partia që ai drejton ka vullnetin për të çuar përpara detyra të vështira, ndërsa programin e kundërshtarëve e cilësoi si një menu votash vetëm për të marrë pushtetin.
Rama premtoi publikisht se nga data 1 janar 2022, do hiqet taksa mbi pagën deri në 400 mijë lekë. Kreu i qeverisë shtoi se do të ulet tatim fitimi, për ata persona që marrin paga deri në 2.5 milionë lekë të vjetra.
“Ne i duam votat për të vazhduar ndërtimin e rrugës së re për shqiptarët, të hapur në drejtësi, arsim, shëndetësi. Ata kanë zgjedhur rrugën e vjetër të fushatave, me moton e premtimet “kap çfarë të kapësh”. Bubat kaçurrelë. Sot kemi 300 mijë lekë pagën minimale. Ne duam ta çojmë deri 400 mijë. Nga 1 janari 2022, do heqim taksën mbi pagën deri 400 mijë lekë. I bie që 63 për qind e të punësuarve nuk do kenë taksë për shtetin. Ulet tatimi mbi fitimin, për ata që marrin deri 2.5 milionë lekë të vjetra. Kjo masë hyn në fuqi më 1 janar 2022”, tha Rama.