Ky shërbim ka kaluar në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, e cila bën të ditur se fillimisht në sitën e kontrollit teknik do kalojnë 150 mijë mjete të kategorive të përzgjedhura.
Të parë që do i nënshtrohen kontrollit janë kamionët, rimorkiot dhe mjetet në pronësi të institucioneve shtetërore të cilëve iu ka skaduar certifikata e mëparshme.
DPSHTRR njofton se gjatë Qershorit do vijohet me të gjitha mjetet e përdorura të regjistruara për herë të parë në Shqipëri nga data 1 Janar 2021 të cilat nuk janë pajisur ndonjëherë me Certifikatë të Kontrollit Teknik.
Kategori të tjera që kanë prioritet janë mjetet për transport mallrash të rrezikshme, mjetet rrugore për transportin e udhëtarëve ndërkombëtar dhe ndërqytetës, taksitë dhe autoshkollat.
Ndërsa autoveturat dhe motomjetet e reja me 0 km, nuk kolaudohen 3 vitet e para. Taksitë, autoshkollat, mjetet e transportit urban, ambulancat dhe mjetet e transportit të mallrave, kolaudohen 1 herë në vit.
Atyre që iu skadon tani certifikata e kontrollit teknik të mjeteve sipas DPSHTRR-së me ndryshimet e bëra, vlefshmëria e kontrollit të kryer vitin e shkuar, shtyhet edhe me një vit tjetër.
Për të shmangur pritjet në radhë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor rekomandon që qytetarët të plotësojnë formularët online për datën e shërbimit.