Ligji për “Paqen Fiskale” dhe faljen e detyrimeve tatimore ka ngritur shqetësime tek ekspertët e financës dhe bizneset, të cilët paralajmërojnë se afatet e shkurtra për aplikim dhe pagesa mund të vështirësojnë zbatimin e procesit.
Sipas specialistëve të fushës, udhëzimet për zbatimin e ligjit janë miratuar me vonesë, ndërsa bizneset kanë në dispozicion vetëm pak javë për të aplikuar, për të kryer pagesat dhe për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.
Audituesi ligjor Bujar Bendo thekson se vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore ka krijuar një situatë problematike për administratën dhe subjektet private. Sipas tij, afatet aktuale janë të pamjaftueshme për një proces kaq të rëndësishëm financiar.
Edhe ekspertë të tjerë të kontabilitetit kërkojnë shtyrjen e afatit të pagesave, duke argumentuar se periudha nga 5 deri më 30 qershor është tepër e kufizuar për bizneset që duan të përfitojnë nga falja e detyrimeve dhe penaliteteve.
Sipas kalendarit të publikuar nga Tatimet, aplikimet për Marrëveshjen e Paqes Fiskale përfundojnë më 5 qershor 2026, ndërsa deri më 30 qershor subjektet duhet të paguajnë detyrimet, të dorëzojnë marrëveshjet dhe dokumentet financiare të korrigjuara.
Ligji parashikon falje të pjesshme apo të plotë të detyrimeve për periudha të ndryshme. Për detyrimet deri në fund të vitit 2014 parashikohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, ndërsa për periudhën 2015–2019 subjektet mund të përfitojnë falje deri në 50% të principalit nëse kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara.
Ndërkohë, procesi po zbatohet edhe nga administrata doganore dhe pushteti vendor, ku qytetarëve dhe bizneseve u ofrohet mundësia për të përfituar ulje të detyrimeve dhe falje të penaliteteve.
