Moti i ftohtë me acar që ka përfshirë të gjithë SHBA-në ka shkaktuar krizë energjetike, ndryshe nga çdo gjë që është parë prej vitesh në vendin më të madh në botë që konsumon energji.
Pothuajse 154 milionë njerëz, gjysma e popullsisë amerikane, ishin nën një lloj alarmi të motit që nga e hëna, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Më shumë se 5 milionë qytetarë në të gjithë SHBA-në nuk kishin energji elektrike të hënën për shkak të ftohtit të acartë dhe borës në shtete si Alabama, Kansas, Kentucky, Mississippi, Missouri, Oklahoma, Tennessee dhe Texas, shumica e tyre shtetet të pjesës jugore të vendit të pamësuar me një mot kaq të ftohte.
Të paktën 15 persona humbën jetën që nga java e kaluar për shkak të motit, përfshirë edhe nga aksidentet e trafikut.
Qytetet Dallas, Oklahoma City dhe Kansas City regjistruan temperaturat në nivelet e tyre më të ulëta që nga viti 1989, me këtë të fundit që regjistroi deri në minus 35 gradë Celsius me erëra të ftohta, njoftoi shërbimi i motit të hënën.
Moti i ftohtë që vinte nga Arktiku në Midwest të SHBA-së çoi temperaturat e përgjithshme në nivelet më të ulëta që nga viti 2011, gjë e cila shkaktoi ngrirje të tubacioneve të gazit natyror dhe turbinave me erë dhe mbylljen e puseve të naftës, duke shkaktuar ndërprerje të shpërndarjes së energjisë elektrike në linjat e energjisë dhe ndërprerje masive në disa shtete.