Është shkarkuar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha për mediat se nisur nga ngjarjet e fundit kriminale në Shqipëri, Nano nuk ka përmbushur objektivat.
“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të drejtorit të Policisë, Gledis Nano. Nuk realizoi objektivat. Pa diskutim, ka shkallë përgjegjësie, deri tani Këshilli, Qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”, u shpreh Çuçi.
Çuçi njoftoi edhe emërimin e nëndrejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Olian Kanushi.
“Nuk kemi ndryshuar kreun e SHISH, kemi emëruar nëndrejtorin Olian Kanushi. Është bërë plotësimi i një vakance të mbetur peng prej kohësh për shkak të konfliktit të lindur midis institucionit të Presidentit dhe SHISH”, tha Çuçi.
Gledis Nano mori postin e Drejtorit të Policisë së Shtetit më 7 Tetor 2021. Pas dorëheqjes së Ardi Veliut, Nano u caktua në krye të Policisë së Shtetit, ndërsa më herët ka mbajtur postin e ish-drejtorit të Antiterrorit.
Gledis Nano spikati me eksperiencën e tij si drejtor i Antiterrorit, kur mori edhe në muajin gusht të 2021-shit një certifikatë vlerësimi nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, për bashkëpunimin e suksesshëm me amerikanët dhe ushtrimit e detyrës së tij në krye të operacioneve të Antiterrorit.
Nano ka luajtur një rol kyç edhe në riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri.