Prokurorët amerikanë thonë se do të jenë të paktën 100 persona të tjerë ndaj të cilëve do të ngrihen akuza në lidhje me sulmet e 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, duke e ngritur kështu në 400 numrin e njerëzve që do të përballen me akuza nga prokurorët.
Kjo u mësua nga dokumentat e paraqitura në gjykatë të premten në kuadrin e një çështjeje konspiracioni të gjerë, ku janë përfshirë edhe nëntë anëtarë të organizatës anti-qeveritare “Oath Keepers”, të cilët përballen me akuza për konspiracion gjatë sulmeve ndaj Kapitolit. Tre anëtarë të tjerë të këtij grupi janë arrestuar veçmazi.
Nga pothuajse 800 mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump që hynë me forcë në godinë në përpjekje për të zhbërë humbjen e tij gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, mbi 300 janë akuzuar tashmë, dhe akuza të reja vazhdojnë të ngrihen çdo ditë.
Megjithatë, qindra të tjerë, shumë prej të cilëve janë fiksuar në fotografi dhe në video, janë ende të lirë, ndërkohë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) vazhdon t’i kërkojë.
“Hetimi vazhdon dhe qeveria pret që të ngrihen akuza ndaj të paktën 100 personave të tjerë“, shkruajnë prokurorët në dokumentat e dërguara gjykatës, ku kërkohet më shumë kohë për të përgatitur çështjen kundër anëtarëve të organizatës Oath Keepers. Sipas Qendrës Jugore Ligjore për Varfërinë, një grup i aktivizmit ligjor, Oath Keepers është “një nga grupet më të mëdha radikale antiqeveritare” në Shtetet e Bashkuara. Organizata pretendon se ka dhjetëra mijëra anëtarë.
Muajin e kaluar, Jessica Watkins, kryetare e grupit të Oath Keepers që hynë me forcë në Kapitol, e denoncoi publikisht organizatën.
“Duke pasur parasysh rezultatin e gjithçkaje në 6 janar dhe gjithçkaje që ka dalë,” tha zonja Watkins gjatë një seance gjyqësore, “shokët e mi të Oath Keepers më kanë revoltuar. Kjo është arsyeja pse unë po anuloj anëtarësimin tim në Oath Keepers”.
Dokumentat ligjore të së premtes sugjerojnë se dhjetëra dhe potencialisht disa qindra individë që hynë në Kapitol pa kryer dhunë nuk do ndiqen penalisht, pasi hetuesit përqëndrohen tek shkelësit më të dhunshëm dhe të tjerët që planifikuan sulmin.
“Që të dënohet dikush për një krim do të thotë të provosh një vepër penale dhe se veprimi është kryer me një gjendje të caktuar emocionale”, tha një ish-zyrtar i zbatimit të ligjit, i cili kërkoi të mos përmendej me emër për shkak të çështjeve të brendshme të Departamentit të Drejtësisë. “Dyshoj se ekziston një farë shqetësimi nëse mund të vërtetohet gjendja emocionale për disa nga individët që hynë në Kapitol, por që nuk u sollën të dhunshëm”.
Sulmi i 6 janarit ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, shkaktoi vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer policie dhe plagosjen e më shumë se 100 të tjerëve.
Ai solli si pasojë atë që prokurorët e kanë përshkruar në dokumentet e gjykatës të premten si një nga hetimet më të mëdha penale në historinë amerikane, “si për nga numri i të pandehurve të ndjekur penalisht, ashtu edhe nga natyra dhe vëllimi i provave”.
Sipas analizave të fundit të akuzave në lidhje me sulmin në Kapitol, shumica dërrmuese e mbi 300 personave të akuzuar deri më tani nuk kanë asnjë lidhje të njohur me grupe të tilla si “Oath Keepers”. Akuzat variojnë nga hyrja e paligjshme dhe sjellja e dhunshme në territorin e Kapitolit deri në sulm ndaj oficerëve të policisë dhe konspiracion kundër Shteteve të Bashkuara.
Me shtimin e provave që anëtarët e “Oath Keepers”, “Proud Boys” dhe grupe të tjera pro ish-Presidentit Donald Trump planifikuan sulmin javë më parë, numri i akuzave për konspiracion pritet të rritet, sipas zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
Ndërsa zyrtarët e zbatimit të ligjit thonë se synojnë të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin në Kapitol, zyrtarët gjithnjë e më shumë po bëjnë një dallim midis mbështetësve të zotit Trump që thjesht u përfshinë në turmë dhe shkelësve më të dhunshëm që mobilizuan protestuesit.
“Shohim njerëz që u entusiazmuan nga momenti, u përfshinë nga energjia, etj., dhe u futën në Kapitol dhe ata ndoshta do të akuzohen thjesht me hyrje të paligjshme”, tha Jill Shanborn, ndihmëse e drejtorit të FBI-së për kundërzbulimin, kur dëshmoi përpara Komisionit Juridik të Senatit javën e kaluar.
“Nga ana tjetër po shohim ato grupe dhe celula të vogla që po akuzohen për komplot që u bashkuan ose në vend ose madje disa ditë ose javë para dhe kishte një lloj objektivi atë ditë,” tha zonja Shanborn.
Nëntë anëtarët e “Oath Keepers”, disa prej të cilëve veteranë të ushtrisë po ndiqen penalisht si grup dhe përballen me akuza të shumta konspiracioni. Ata akuzohen për formimin e një formacioni taktik për të sulmuar Kapitolin, një operacion që mendohet se ishte planifikuar javë përpara sulmit të 6 janarit.
Disa nga të akuzuarit kanë deklaruar pafajësinë dhe janë shkëputur nga organizata