Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend, në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, duke reflektuar ndryshimet e fundit në treg.
Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës për konsumatorët do të jetë 196 lekë për litër, nga 206 lekë që ishte në vendimin e mëparshëm. Ndërkohë, çmimi i shitjes me shumicë për gazoilin është përcaktuar në jo më shumë se 184 lekë për litër.
Edhe benzina ka pësuar ulje. Bordi ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 180 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë jo më shumë se 168 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi sot, më 7 maj 2026, duke nisur nga ora 12:00 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku pritet të rishikohen sërish çmimet në bazë të lëvizjeve të tregut ndërkombëtar.
Në njoftimin zyrtar, autoritetet paralajmërojnë operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të çmimeve të përcaktuara. Sipas paralajmërimit, çdo subjekt që shkel vendimin rrezikon masa administrative deri në pezullim të aktivitetit.
Gjithashtu, në sqarimin shoqërues theksohet se çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ për akcizën, çka do të thotë se akciza mbi karburantet do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë 100%.
Ulja e çmimeve vjen në një moment kur tregu i karburanteve në vend ka qenë subjekt debatesh të vazhdueshme për nivelin e lartë të çmimeve dhe ndikimin e tyre në koston e jetesës për qytetarët dhe bizneset.
