Shqiptarët vijojnë të jenë ndër popujt që punojnë më shumë orë në rajon, por produktiviteti i punës mbetet ende shumë larg vendeve më të zhvilluara të Europës dhe botës. Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë vitit 2024, çdo orë pune në Shqipëri gjeneroi mesatarisht vetëm 995 lekë vlerë ekonomike, ose rreth 10 euro.
Ekonomia shqiptare prodhoi mbi 2.5 trilionë lekë gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 1.2 milionë të punësuar punuan mesatarisht 41.3 orë në javë. Megjithatë, pavarësisht angazhimit të lartë në tregun e punës, vlera që krijohet për çdo orë të punuar mbetet e ulët krahasuar me vendet e zhvilluara.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, Shqipëria gjeneron vetëm 17.6 dollarë për orë pune, ndërsa mesatarja e vendeve të OECD-së arrin në rreth 71 dollarë. Diferenca është edhe më e madhe kur krahasohemi me ekonomitë më të fuqishme të botës. Irlanda kryeson me 151 dollarë për orë pune, Norvegjia me 132 dollarë dhe Luksemburgu me 125 dollarë. Ndërkohë, vende si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania prodhojnë disa herë më shumë vlerë ekonomike për çdo orë të punuar.
Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se shkaku kryesor lidhet me strukturën e ekonomisë shqiptare, e cila mbështetet kryesisht te tregtia, shërbimet dhe sektorë me vlerë të shtuar të kufizuar. Mungesa e investimeve të mëdha në teknologji, industri moderne, kërkim shkencor dhe automatizim bën që produktiviteti të mbetet i ulët, pavarësisht orëve të shumta të punës.
Kjo situatë reflektohet drejtpërdrejt edhe në nivelin e pagave dhe mirëqenien e qytetarëve. Sa më i ulët produktiviteti, aq më të kufizuara mbeten mundësitë për paga më të larta dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Ndërsa vendet e zhvilluara investojnë në inovacion dhe teknologji për të rritur eficiencën, Shqipëria vazhdon të përballet me sfidën e krijimit të më shumë vlerës ekonomike për çdo orë pune.
Në praktikë, shifrat tregojnë se shqiptarët nuk punojnë më pak se europianët, por ekonomia shqiptare arrin të prodhojë shumë më pak për çdo orë të punuar. Një realitet që vazhdon të mbajë vendin larg standardeve ekonomike të Bashkimit Europian dhe që mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e ardhshëm.
