Sektori bankar në Shqipëri vlerëson se rreziqet më të mëdha për stabilitetin financiar lidhen me zhvillimet jashtë vendit dhe me ecurinë e ekonomisë së brendshme. Këto përfundime dalin nga një vrojtim i realizuar nga Banka e Shqipërisë mbi perceptimin e rreziqeve sistemike për gjysmën e dytë të vitit 2025.
Sipas bankave, pasiguritë e larta ekonomike dhe gjeopolitike gjatë vitit të kaluar kanë rritur shqetësimin për efektet që mund të vijnë nga jashtë, duke e renditur këtë si rrezikun kryesor për sistemin financiar. Megjithëse vlerësimi është disi më i zbutur krahasuar me pjesën e parë të vitit, tensionet e reja në fillim të vitit 2026 pritet të ndikojnë sërish në rritjen e këtij perceptimi.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm mbetet tregu i pasurive të paluajtshme. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pronave në vitet e fundit ka shtuar pasigurinë tek bankat, sidomos për shkak të ekspozimit të lartë të portofolit të kredive ndaj këtij sektori. Për këtë arsye, luhatjet e mundshme në këtë treg konsiderohen si një ndër rreziqet kryesore për stabilitetin financiar.
Ndërkohë, rreziku nga sulmet kibernetike vijon të mbetet i pranishëm, por me një vlerësim më të moderuar. Kjo lidhet me faktin se bankat kanë rritur investimet në sigurinë digjitale dhe kanë përmirësuar sistemet mbrojtëse, duke ulur ndjeshmërinë ndaj këtyre kërcënimeve.
Nga ana tjetër, rreziqet që lidhen me tregun financiar, si luhatjet e kursit të këmbimit apo ndryshimet e normave të interesit, perceptohen në nivele më të ulëta. Forcimi i lekut ndaj Euro duket se është stabilizuar, duke reduktuar ndikimin e tij si faktor rreziku.
Bankat vlerësojnë se në afat të shkurtër, mundësia e materializimit të këtyre rreziqeve mbetet nën nivelin mesatar. Megjithatë, në periudhën afatmesme (1–3 vjet), kjo mundësi rritet, sidomos nëse tensionet globale vazhdojnë.
Pavarësisht këtyre sfidave, sektori bankar në vend paraqitet i qëndrueshëm, me nivele të mira likuiditeti dhe kapitalizimi, çka mban besimin mbi stabilitetin financiar në një nivel të kënaqshëm edhe për periudhat në vijim.
