Ndërsa Shqipëria vijon të përballet me mungesa të theksuara në infrastrukturë, rrugë të amortizuara, probleme në shërbimet publike dhe nevoja të mëdha për investime, të dhënat e fundit të financave publike tregojnë një realitet që ngre pikëpyetje mbi prioritetet e shpenzimeve të shtetit.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave për katërmujorin e parë të vitit 2026, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes kanë arritur në rreth 17.7 miliardë lekë, duke tejkaluar me mbi 16 për qind fondet e destinuara për investimet kapitale, të cilat kapin vlerën e 14.8 miliardë lekëve. Praktikisht, më shumë para po përdoren për funksionimin e administratës dhe strukturave ekzistuese sesa për ndërtimin e veprave të reja publike.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se në një vend në zhvillim si Shqipëria, investimet kapitale duhet të jenë prioritet, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Kur fondet orientohen kryesisht drejt shpenzimeve operative, zhvillimi afatgjatë rrezikon të mbetet në plan të dytë.
Në këtë kategori përfshihen kostot e funksionimit të administratës shtetërore, pagesat për energjinë elektrike, ujin, karburantin, pajisjet e zyrave, qiratë, shërbimet teknologjike dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve lidhet me pagesat për kontratat koncesionare dhe partneritetet publik-private, të cilat rëndojnë çdo vit mbi buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, në terren situata paraqitet ndryshe. Shumë akse rrugore vazhdojnë të jenë në gjendje problematike, me dëmtime, mungesë sinjalistike dhe mungesë ndërhyrjesh të vazhdueshme. Edhe segmente të ndërtuara vitet e fundit kanë shfaqur probleme strukturore, ndërsa qytetarët shpesh ankohen për mungesën e mirëmbajtjes pavarësisht fondeve të konsiderueshme të alokuara në buxhet.
Një tjetër shqetësim lidhet me mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Sipas specialistëve, në vend të planeve afatgjata dhe strategjive të mirëfillta për mirëmbajtjen e infrastrukturës, fondet shpesh copëzohen në tenderë të shumtë për ndërhyrje të vogla, duke rritur kostot dhe duke ulur efektivitetin e investimeve.
Rasti i autostradës Tiranë–Durrës përmendet shpesh si shembull i mënyrës se si janë shpenzuar miliona euro ndër vite për projekte të përsëritura, përfshirë gjelbërimin dhe sistemimet anësore, ndërkohë që vetë infrastruktura vazhdon të ketë nevojë për ndërhyrje të rëndësishme.
Shifrat e katërmujorit të parë të vitit tregojnë se një pjesë e madhe e parave të mbledhura nga taksat e qytetarëve po shkon për të mbajtur në këmbë aparatin shtetëror. Ndërsa investimet publike, që konsiderohen motori kryesor i zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të vendit, po zënë një peshë më të vogël në strukturën e shpenzimeve buxhetore.
Në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë rrugë, shkolla, spitale dhe shërbime cilësore, debati mbi mënyrën se si shpenzohen paratë publike pritet të mbetet në qendër të diskutimit ekonomik dhe politik në vend.
