Bullgaria ka ndalur përkohësisht vaksinimin kundër koronavirusit, me vaksinat e kompanisë AstraZeneca, pas rritjes së shqetësimit për sigurinë e tyre.
Qeveria bullgare ka thënë më 12 shkurt se vaksinimi është pezulluar derisa Agjencia Evropiane e Ilaçeve të dërgojë një deklaratë të shkruar, që heq të gjitha dyshimet për siguri.
“Derisa të kemi një konfirmim të sigurt dhe të qartë në letër nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, që vaksina e kompanisë AstraZeneca mund apo nuk mund të jepet, ju (zyrtarët shëndetësorë) do ta ndalni vaksinimin”, është cituar të ketë thënë kryeministri bullgar Boyko Borisov.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë më 12 mars se është duke analizuar raportimet për probleme me koagulim të gjakut te disa persona në Bashkimin Evropian, të cilët janë vaksinuar me një dërgesë të vaksinave të AstraZenecas.
Vetë kompania AstraZeneca ka thënë më 11 mars se nuk ka gjetur të dhëna për rritje të ndërlikimeve pulmonare apo të trombozave në vena – bazuar në të dhënat që nga vaksinimi deri më tani.
Megjithatë, Danimarka, Norvegjia, Islanda, Italia dhe Rumania kanë shtyrë apo kufizuar vaksinimin me këto vaksina, pas raportimeve të izoluara të pacientëve që janë përballur me trashje gjaku.
Tajlanda ka vepruar njëjtë më 12 mars.
Australia, Meksika dhe Filipinet kanë thënë se do të vazhdojnë vaksinimin, pasi nuk kanë gjetur arsye për të vepruar ndryshe.
Kanadaja po ashtu ka thënë se nuk ka të dhëna se vaksina shkakton reaksione agresive.