Një raport i fundit i Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal nxjerr në pah diferencat e mëdha në zhvillimin industrial mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku Serbia dhe Maqedonia e Veriut rezultojnë më të avancuara, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet e fokusuar në industri me vlerë të ulët dhe teknologji të kufizuar.
Sipas studimit, vendet e rajonit po përpiqen të kalojnë drejt industrive “Green” dhe “Digital”, por përballen me mungesë investimesh, standardesh moderne dhe mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Raporti vëren se Serbia ka ndërtuar bazën më të fortë industriale në rajon, duke tërhequr investime të mëdha të huaja në sektorë si industria automobilistike, plastika dhe makineritë. Vendi konsiderohet më i integruari në zinxhirët europianë të prodhimit dhe eksportit, ndërsa po investon edhe në inovacion dhe inteligjencë artificiale.
Edhe Maqedonia e Veriut paraqitet me rritje të fortë industriale, sidomos në sektorin e komponentëve elektrikë dhe pjesëve të automjeteve. Raporti thekson se mbi gjysma e eksporteve industriale të vendit lidhen me teknologjinë e mesme dhe të lartë, falë zonave industriale dhe investimeve të huaja.
Në anën tjetër, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht tek fasoneria, tekstilet dhe këpucët, sektorë që kërkojnë shumë punë, por prodhojnë pak vlerë të shtuar. Sipas raportit, industria shqiptare ka ende kapacitete të kufizuara eksporti dhe mbetet larg standardeve të vendeve të Bashkimit Europian.
Megjithatë, raporti evidenton se ka përpjekje për orientim drejt sektorëve me më shumë vlerë, si industria automotive, agropërpunimi dhe energjia. Sfida kryesore mbetet mungesa e investimeve në kërkim, zhvillim dhe teknologji moderne.
Kosova paraqitet si lider rajonal në industrinë agropërpunuese, ndërsa Mali i Zi mbetet me bazën industriale më të ngushtë, për shkak të fokusit të ekonomisë tek turizmi dhe shërbimet.
Sipas ekspertëve, rajoni ka ende rrugë të gjatë për të arritur konkurrueshmërinë industriale të vendeve të Bashkimi Europian, ndërsa sfidat kryesore mbeten modernizimi teknologjik, rritja e aftësive profesionale dhe integrimi në tregjet ndërkombëtare.
